Site icon Telegrafi

Tsipras pret hapa konkret nga Shkupi

Hapat drejt një marrëveshjeje të pranueshme për të dy palët, duke ndryshuar emrin e aeroportit në Shkup, duke hequr monumentet që aludojnë në irredentizëm, një deklaratë publike për pranimin e një emri kompleks për përdorim të përgjithshëm janë kërkesat nga Athina zyrtare në Maqedoni për të mbyllur kontestin për emrin, sipas tekstit në gazetën greke “Real news”.

Gazetari me përvojë në tekstin e tij, siç raporton AIM, i përcjell mendimet e kryeministrit grek dhe atë që pret ai nga Maqedonia, pa qenë kjo një deklaratë zyrtare nga Alexis Tsipras për gazetën.

“Një porosi për Shkupin për të marrë hapa konkretë për të arritur një marrëveshje mbi çështjen e emrit dhe për të lejuar integrimin e vendit fqinj, së pari në NATO dhe pastaj në BE, dërgon Alexis Tsipras. “Bëni hapa drejt një marrëveshjeje të pranueshme reciproke”, i përcjell Shkupit, kryeministri grek, sepse Athina pret që qeveria e Zaevit të kalojë në praktikë, e jo vetëm në fjalë, të bëjë lëvizje konkrete në mënyrë që të fillojë një diskutim thelbësor mbi çështjen e emrit, shkruan “Real news”.

Sipas gazetës, këto hapa, përkatësisht kërkesa nga ana greke në anën e Maqedonisë, janë specifike dhe shqetësuese: ndryshimi i emrit të aeroportit të Shkupit, largimi i monumenteve që kanë tendenca irredentiste, siç janë ato të Aleksandrit dhe Filipit, por gjithashtu edhe një qëndrim publik nga Shkupi se pranon një bisedë rreth një emri kompleks për përdorim të përgjithshëm. Erga Omnes është një pikë që është veçanërisht e rëndësishme për Athinën.

Qëndrimi i Panos Kammenos dhe kërkesa e tij për caktim të takimit të liderëve në pallatin presidencial, në të cilin do të mund të caktoheshin vijat e kuqe të Greqisë për çështjen e emrit, ka hapur debat të flaktë në Greqi gjatë periudhës së kaluar./Telegrafi/

Exit mobile version