Site icon Telegrafi

Tryezat e dështuara të partive politike

Të mërkurën pritej që të takoheshin liderët e partive politike për të diskutuar për arritjen e konsensusit politik për fazën finale të dialogut.

Megjithatë, kjo përpjekje ka dështuar pasi kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj i Nismës nuk kanë shkuar, porse kanë dërguar përfaqësues të tjerë të partive.

Ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje e ka bojkotuar këtë takim të thirrur nga Grupi Ballkanik për Politika.

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka lëshuar tryezën pasi, sipas përfaqësuesve të saj, partitë e tjera janë treguar joserioze.

Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri pas daljes nga takimi ka thënë se arsyet pse po e lëshojnë këtë tryezë janë mosserioziteti dhe papërgjegjshmëria e partive të tjera karshi procesit të dialogut me Serbinë.

“Mosserioziteti, papërgjegjshmëria dhe sjellja e tillë politike karshi një procesi kaq të rëndësishëm neve na bën të pamundshëm të marrim pjesë në debate të tilla. Mekanizmi dhe mjeti i vetëm është dialogu, duhet t’i përmbahemi këtij mjeti, por duhet të sillemi përgjegjshëm. Edhe sot u pa mënyra e përfaqësimit, mënyra sesi e injorojnë opozitën”, është shprehur Haziri, shkruan “Zëri”.

Ai më tej ka thënë se të tjerët po punojnë për ta pamundësuar konsensusin.

“Kjo e sotmja tregon qartë se PDK-ja dhe AAK-ja, si dy parti kryesore që qeverisin dhe bartin institucionet, duhet ta ndryshojnë mënyrën dhe sjelljen karshi opozitës dhe LDK-së si parti”, ka shtuar Haziri.

Kurse zëvendëskryetari i Parisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, pas përfundimit të tryezës ka thënë se takimi ishte një përpjekje e mirë për arritje të konsensusit.

Ai më tej ka thënë se partitë duhet të fokusohen në epilogun e dialogut.

“Shpresoj që në një të ardhme të afërt të kemi pajtim të plotë në mes të partnerëve të koalicionit dhe partive në opozitë se si të përfshihen në dialog dhe se si, përveç dallimeve strukturore që i kemi, të koncentrohemi në epilogun e dialogut dhe në epilogun e dialogut është marrëveshja obligativo-ligjore dhe ajo është njohje e ndërsjellë”, ka shtuar Hoxhaj.

Ndërsa kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, ka thënë se përpjekja për t’i bërë bashkë liderët ka dështuar.

“Ishte një tentim i radhës i shoqërisë civile që t’i takojë të gjitha subjektet politike në mënyrë që të arrihet së paku një marrëveshje minimale për dialogun me Serbinë. Por që në fillim kjo përpjekje ishte e dështuar, pasi pavarësisht konfimrimit nuk morën pjesë as kryetari i PDK-së dhe as ai i AAK-së dhe po ashtu nuk mori pjesë as Vetëvendosja. LDK-ja tha se pa ata të dy nuk kemi çka të flasim. Kështu nuk po mund të takohemi me  liderët”, ka potencuar Ahmeti.

Sipas tij, Kuvendi duhet të jetë bartës i dialogut dhe se duhet të krijohet një komision mbikëqyrës.

“Mandatimi të bëhet me dy të tretat e Kuvendit, ku do të miratohej edhe platforma”, ka përfunduar Ahmeti.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë në këtë takim, kurse në një komunikatë për medie të kësaj partie thuhet se tryezat e tilla janë shpeshtuar dhe se duhet të reduktohen.

“Tryezat e tilla bëhen edhe më problematike kur formati i propozuar dhe organogrami për diskutim në tryezë përputhet me formatet e Zyrës së Presidencës, që drejtohet nga një person i diskredituar dhe i delegjitimuar si Hashim Thaçi. Ajo që na duhet është rikthimi i çështjes në Kuvend. Fokusimi shumë i madh i qeveritarëve te tryezat e shoqërisë civile për këtë çështje ndodh për faktin se Qeverisë i mungon shumica në Kuvend. Kurse për opozitën, si dhe për shtetin e Kosovës është jetike që diskutimi të ndodhë aty ku është përfaqësimi i zërit të qytetareve: në Kuvend”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Në fund të këtij njoftimi thuhet se Kuvendi i Kosovës duhet t’ia tregojë vijat e kuqe presidentit Thaçi dhe Serbisë.

Exit mobile version