Partia Social Demokrate (PSD) është ajo e cila i ka ftuar të gjitha partitë politike, në tryezën e radhës, e cila do të mbahet nesër.
Por temë diskutimi në këtë tryezë do të jetë dialogu me Serbinë dhe jo zgjedhjet e jashtëzakonshme, temë kjo me për të cilën edhe janë iniciuar këto tryeza nga LDK-ja.
Shefi i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu për KosovaPress ka shpjeguar se tema e cila do të diskutohen në tryezën e nesërme është ajo e dialogut me Serbinë, e cila, sipas tij, nuk po trajtohet në mënyrën e duhur.
Ai thotë se në këtë tryezë, PSD do të shpërfaqë, një mënyrë të re të menduarit për këtë çështje, e cila do të ndihmojë dhe në vendosjen adekuate të Republikës së Kosovës, karshi shteteve tjera, në përputhje me interesat nacionale të kësaj republike.
“Tema e cila gjithsesi po diskutohet, e nuk po trajtohet në mënyrën e duhur, është dialogu me Serbinë. Ka kohë që qasjen të cilën e kemi pasur në dialog me Serbinë, e kemi të gabuar. E kemi komplet në shpërputhje me llojin e organizimit konstitucional, që e ka kjo republikë dhe në tryezën e nesërme do të paraqesim një sërë pyetjesh, një sërë idesh se si duhet të përfshihet dhe si duhet të organizohet edhe më mirë, çfarëdo lloj dialogu me Serbinë”, tha ai.
Ndërkaq, duke komentuar deklaratat e zyrtarëve të Vetëvensosjes, lidhur me mos përfshirjen e temës së zgjedhjeve në tryezë, ai thotë se e askush nuk duhet t’ia kushtëzojë askujt temat.
Thotë se VV e ka mbajtur tryezën e saj, ku vet ka caktuar temën dhe se rruga përpara nuk bëhet, duke i kushtëzuar të tjerët.
“Ne i kemi bërë ftesë të gjitha subjekteve politike. VV e ka pasur tryezën e vet, ajo e ka definuar temën dhe ne kemi shkuar në tryezë. Nuk besoj që diskutimet duhet të bëhen në këtë mënyrë, pra duke kushtëzuar temat. Nuk ia ka kushtëzuar as LDK-së, nuk ia kushtëzuar as AAK-së, nuk ia kushtëzu asnjërit. Kështu që nuk mendoj që rruga përpara, është duke kushtëzuar. Rruga përpara është duke e shpërfaq qëndrimin e tyre që e kanë tash e 10 vite”, tha ai.
Por, për Albulena Haxhiun nga Lëvizja Vetëvendosje mbetet e pakuptueshme, se pse PSD-ja nuk i ka qëndruar besnike kërkesës për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Madje, thotë se PSD ka devijuar nga kjo temë dhe se ajo së bashku me PDK-në, temë të këtyre tryezave, e kanë vënë dialogun me Serbinë.
Ndërsa, theksoi se VV-ja ende nuk ka marrë vendim, se do të jenë pjesë e kësaj tryeze apo jo dhe se një vendim të tillë, do ta marrin gjatë ditës së sotme.
“Ajo çfarë ne kundërshtojmë, është që nga kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme, tashmë edhe PDK-ja edhe PSD-ja temë të këtyre tryezave, e kanë vënë dialogun me Serbinë. Dhe unë nuk e kuptoj se pse PSD-ja nuk i ka qëndruar besnike kërkesës për zgjedhje të jashtëzakonshme. Pra ka devijuar nga tema, apo nga kërkesa për zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak se ne si subjekt politik, konsiderojmë se vendi ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Dhe për ne është e papranueshme se si ky subjekt politik, nuk e ka nënshkruar deklaratën, për të cilën jemi dakorduar në tryezën e tretë e cila është ftuar nga VV, ku temë të diskutimit i kemi pasur zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ne kemi parë, që Qeveria aktuale nuk ka vullnet politik, për të ardhur deri tek një konsensus. Pra dëshiron të vazhdoj me avazin e vjetër duke lëshuar pe në vazhdimësi karshi Serbisë… . Sa i përket pjesëmarrjes sonë, ne sot gjatë ditës do të vendosim nëse do të marrim pjesë apo jo. Në qoftë se do të shkojmë, natyrisht se do t’i themi qëndrimet tona në raport me dialogun por dhe kërkesën për zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha ajo. .
E për Haxhiun, temat e tilla si kjo e dialogut, e cila do të diskutohet në tryezën e PSD-së, janë përpjekje për të hedhur hi, karshi qytetarëve dhe opinionit publik dhe me qëllim të zgjatjes së jetës së kësaj qeverie.
“Sa i përket temave të cilat po trajtohen në tryezë, veçanërisht të kësaj të dialogut, ne kemi parë në të kaluarën, përpjekjet e tilla, të cilat kanë qenë më tepër hedhje hi edhe karshi qytetarëve, por dhe opinionit publik dhe duket që qëllimi është për ta akomoduar dhe për të ia zgjatur jetën, kësaj qeverie”, tha ajo.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti thotë se LDK-ja, ka iniciuar këto tryeza me qëllim që partitë politike të dakordohen për një datë të zgjedhjeve, pasi që institucionet nuk janë duke funksionuar normalisht.
Sipas tij, Kuvendi i Kosovës, është vendi ku duhet të diskutohet për çështjen e dialogut me Serbinë dhe jo tryezat e tilla.
Hoti më tej thekson se në fund të mbajtjes së këtyre tryezave, do të shohin nëse është arritur dakordim.
E nëse kjo nuk arrihet , atëherë opsioni i vetëm i tyre sipas tij, mbetet mocioni i votëbesimit në Kuvendin e Kosovës.
“Ftesa që e kemi marrë për nesër nga PSD, është për çështjen e dialogut. Kjo nuk është esenciale për këto tryeza. Normalisht që çështja e dialogut është tepër e rëndësishme, është e rëndësisë nacionale, dhe aty duhet një konsensus. Por, është Kuvendi për atë çështje dhe unë besoj që në Kuvendin e Kosovës, shpejtë do të diskutohet kjo çështje. Ato tryeza kanë të vetmin qëllim, që forcat politike të dakordohen për të nxjerr vendin nga kriza institucionale…Ne do të jemi pjesë aty. Ne nuk e kemi përjashtuar këtë çështje.
Kjo është qenësore. është qenësore funksionimi normal i institucioneve të vendit. ne do të japim qëndrimin tonë aty. Dhe unë besoj që me këtë tryezë, eventualisht me tryezën përfundimtare që do të organizohet nga LDK-ja duke qenë se ne i kemi inicu këto tryeza ne do të konkludojmë nëse ka dakordim apo nuk ka dakordim mes subjekteve politike për të dalë nga kriza. Dhe ne do të ndjekim rrugën tonë”, tha ai. /KP/