Telegrafi

Trusti po investon pak në Kosovë

Performanca e fondeve të investuara nga Trusti, është shumë i kënaqshëm për vitin 2014, madje kthimi bruto nga investimet ishte rreth 67 milionë euro, ose 6.3 për qind. E viti 2014 në përgjithësi i shtohet rreshtit të viteve të suksesshme të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, si në aspektin e investimeve, po ashtu edhe në atë të operacioneve.

Ndërsa, gjatë vitit 2014, ishin 4 mijë e 49 llogari nga të cilat u tërhoqën mjetet, ndërkohë që vlera e mjeteve që në tërësi u tërhoqën gjatë vitit arriti në 14.3 milionë euro, përderisa në vitin 2013 ishte 10.7 milionë euro.

Kështu, u tha në konferencën vjetore për vitin 2014 nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Po ashtu, u tha se fletë obligacionet e emetuara nga Qeveria e Kosovës ishin e vetmja mundësi ligjore dhe reale për investimin e mjeteve pensionale në vend, shumë e së cilave ishte rreth 55 milionë euro nga rreth 53 milionë euro që ishte një vit më parë.

Ymer Havolli, kryetar i bordit drejtues të FKPK-së, tha se tregjet financiare shënuan oscilime të forta veçanërisht në tre mujorin e fundit të vitit kur rënia e shpejtë e çmimit të naftës, rishfaqja e problemeve të rritjes ekonomike në eurozonë, tensionet në ngritje kundrejt Rusisë, si dhe problemet me rritjen ekonomike në Japoni në vendet në zhvillim ishin dekurajuese për investitorët.

“Marrë në total për tri vjetët e fundit vlera e mjeteve pensionale nga investimi i tyre është rritur bruto për 192 milionë. Në këtë shifër pa 192 milionë euro investimet në tregjet globale financiare kanë kontribuar me 98.5 për qind, ndërsa, investimet në Kosovë me 1.5 për qind. Kontributet pensionale edhe gjatë vitit 2014 vazhduan rritjen duke kapur shifrën vjetore prej 129 milionë euro kontribute të arkëtuara në vitin 2013, 119 milionë euro ose 10 milionë euro më shumë se sa më 2013. Sa i përket numrit të përgjithshëm të llogarive të kontribut paguesve më 2014, ai arriti 477 mijë nga 447 mijë nga 447 mijë një vit më parë. Ndërsa, numri i kontribut paguesve që gjatë vitit 2014 ishin aktivë, pra, për të cilët janë realizuar pagesa të kontributeve pensionale gjatë vitit, arriti në 286 mijë, një rritje kjo prej 3 për qind krahasuar me 277 mijë në vitin paraprak”, është shprehur ai.

Gjatë vitit 2014, Fondi i Kursimeve Pensionale vazhdoi të ketë rritje në të gjitha fushat e marrëdhënieve më klientë, ku sipas Havollit në total numri i klientëve individual të shërbyer nga FKPK-ja, gjatë vitit 2014 tejkaloi shifrën 76 mijë, nga 67 mijë sa ishte një vit më parë.

Ndërsa, Adrian Zalli, drejtor menaxhues i FKPK-së, u shpreh se nga 3567 të pensionuar sa kanë qenë në vitin 2013, në vitin 2014 ishin 4 mijë e 49 persona. “Të pensionuar gjatë viti 2014 kanë qenë 4 mijë49 veta në krahasim me vitin 2013 që kanë qenë 3567 veta, ndërsa llogaritë e kontribuesve gjatë vitit deri në fund të vitit 2014 kemi pas 400 e 76 mijë e 560 llogari , kurse, prej këtyre llogarive 285 mijë e 914 kanë qenë llogari aktive siç edhe u tha në kumtesë. Kurse, vlen të theksohet se pensionet e shpërndara prej themelimit të trustit deri në vitin 2014 kanë qenë 52 milionë 243 milionë euro. Të gjitha të hollat që i marrim nga kontribuuesit i marrim në euro por edhe shkarkimet që i bëjmë, i bëjmë në euro, do të thotë rënia e vlerës së euros është diçka që prek gjithë ekonominë, jo vetëm ekonomia e Kosovës por edhe ekonominë e eurozonës dhe ekonominë globale”, thotë ai.

Ndryshe, u tha se numri i pasqyrave që do t’u dërgohet kontribuesve për vitin 2014 do të jetë rreth 432 mijë, i rritur kështu për 20 mijë nga viti 2013, ndërsa, numri i përdoruesve të Trustit arriti në 37 mijë e 222 i shtuar për 66 për qind nga viti paraprak, e që ishte 22 mijë e 459. /Telegrafi/