Shumë gazetarë dhe zyrtarë që prisnin liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, në stacionin e trenit në Vladivostok të Rusisë, kanë pasur rastin ta shohin një skenë të pazakontë.
Derisa treni me shpejtësi të vogël po i afrohej stacionit ku e priste tepihu i kuq i shtruar, truprojat e liderit të Koresë së Veriut janë parë duke vrapuar pas trenit për ta pastruar me lecka, transmeton Telegrafi.
Të veshur në kostume të zeza dhe me dorëza të bardha, këta burra janë parë duke vrapuar pas trenit të blinduar, të cilit ia pastronin dritaret dhe dyert, pasi nga ai pritej të dilte Kim Jong-un që ishte paraparë të takohet me presidentin rus Vladimir Putin.
Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që truprojat e tij kanë bërë skena të pazakontë duke u bërë kështu kryelajm i mediave botërore.
Gjatë takimit të zhvilluar me presidentin amerikan Donald Trump, ata janë parë duke vrapuar pas limuzinës së zezë të blinduar brenda të cilës ishte Kim Jong-un. /Telegrafi/