Ministria e Barazisë në Spanjë (departament në qeverinë e Spanjës, fokusi i të cilës është barazia gjinore dhe politikat që luftojnë të gjitha format e dhunës ndaj grave) ka nisur një fushatë verore për të inkurajuar gratë e shqetësuara se si duket trupi i tyre për të shkuar në plazh.
“Vera është gjithashtu e jona”, shkruan slogani mbi një imazh të pesë grave të ndryshme të formave dhe madhësive të ndryshme.
“Të gjithë trupat janë trupa plazhi”, tha ministrja e Shërbimeve Sociale, Ione Belarra.
Drejtuesja e Institutit të Grave – Antonia Morillas tha se pritjet fizike ndikuan jo vetëm në vetëvlerësimin e grave, por u mohuan atyre të drejtat e tyre.
Ilustrimi i fushatës së pesë grave që pushojnë në plazh gjithashtu paraqet një grua ‘topless’ pas një mastektomie (operacion kirurgjik për heqjen e gjoksit).
Instituti, i cili qëndron pas nismës, tha se ishte një përpjekje për të treguar se të gjithë trupat kishin vlefshmëri.
Femrat duhet ta shijojnë verën, sido, kudo dhe me kë të dëshirojnë, thuhej në reklamë: “Sot ngremë dolli për një verë për të gjithë, pa stereotipe dhe dhunë estetike ndaj trupit tonë”.
Por jo të gjithëve u bëri përshtypje fushata. Disa pyesnin veten nëse duhet të zgjerohet për të përfshirë burra pa të ashtuquajturat trupa standardë, ndërsa lideri i krahut të majtë Cayo Lara tha se fushata ishte kulmi i absurditetit, duke u përpjekur të “krijojë një problem aty ku nuk ekziston”. /Telegrafi/