Rreth 160 trupa amerikane dhe letoneze, të ndjekura nga automjete të blinduara parakaluan nëpër qytete në afërsi të kufirit rus, në stërvitjen dy ditore baltike të NATO-s në Letoni.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, marshimi nisi të martën, më 7 shkurt dhe ka përfunduar të mërkurën, si pjesë e ushtrimeve të koduara “Bayonet Vanguard”.
Stërvitjet u zhvilluan nëpër të gjithë vendet baltike, të cilat thuhet se synojnë rritjen e bashkëpunimit në mes të ushtarëve të Letonisë dhe atyre amerikanë, të cilët provuan aftësitë e tyre në kushtet e dimrit.
Destinacioni i fundit i tyre ishte qyteti Rezekne, që ndodhet vetëm 63 kilometra (39 milje) në perëndim të kufirit Letoni-Rusi.
Në një video të ngarkuar nga YouTube, shihen automjete të blinduara, tanke,… në borë, ndërsa disa që pritnin me padurim të “njoftoheshin” me to.
Pasi vendosja e dhjetëra ushtarëve dhe makinerive të rënda në një qytet prej 30.000 banorësh mund të ketë shkaktuar frikë në mesin e banorëve, autoritetet letoneze kishin paralajmëruar qytetarët paraprakisht.
Stërvitjet ushtarake, të njohura si Bayonet Vanguard, u mbajtën në Lituani, Estoni, Letoni, që nga 6 deri më 9 shkurt, përcjell Telegrafi.
Stërvitjet, u tha se shërbejnë si dëshmi e angazhimit të Uashingtonit për sigurinë evropiane.
Por Moska e ka përshkruar vendosjen e trupave të NATO-s pranë kufirit rus si një “kërcënim”, duke thënë se ata “rëndë po e rrisin rrezikun e incidenteve”.
“Kjo vendosje është sigurisht një kërcënim për ne”, ka thënë zëvendësministri i jashtëm, Aleksey Meshkov, në një intervistë për RIA Novosti. “E kush tha se kjo do të përfundojë me kaq? Ne nuk kemi një informacion të tillë”. /Telegrafi/