Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe republikanët njoftuan sot se ata grumbulluan 210 milionë dollarë si donacione në muajin gusht, më pak sesa Joe Biden dhe demokratët që kanë thyer një rekord prej 364.5 milionë dollarëve.
Të dy kandidatët regjistruan shuma rekorde të dhurimit në gusht, kur të dy partitë mbajtën kongreset e tyre përpara zgjedhjeve.
Biden dhe demokratët javën e kaluar njoftuan shumën përfundimtare të donacioneve të mbledhura që thyen rekordin mujor të çdo kandidati presidencial në historinë e SHBA-ve, transmeton Telegrafi.
Fushata e demokratëve mblodhi 140 milionë dollarë në muajin korrik dhe dhurimi individual më i lartë i lejuar ishte 710,300 dollarë, njoftoi New York Times.
Në gusht, Biden tejkaloi rekordin e mëparshëm të vendosur nga Barack Obama në shtator të vitit 2008 me 193 milionë dollarë.
Trump mblodhi 165 milionë dollarë në muajin korrik dhe vetëm gjatë gushtit republikanët mblodhën 76 milionë dollarë.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane do të mbahen më 3 nëntor (e martë). /Telegrafi/