Site icon Telegrafi

Trump zyrtarisht njeh sovranitetin e Izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e njohu sovranitetin e Izraelit mbi Rrafshnaltën e Golanit – rajon të cilin forcat izraelite e kanë pushtuar nga Siria në fazat e fundit të Luftës Gjashtëditëshe të vitit 1967.

Duke nënshkruar njohjen zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Shtetet e Bashkuara është dashur ta bëjnë një hap të tillë “disa dekada më parë”.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, qëndroi pranë Trumpit në Shtëpinë e Bardhë derisa ai e nënshkroi njohjen.

Netanyahu tha se kjo është një “ditë historike” që i transformon “fitoret ushtarake të Izraelit në Rrafshnaltën e Golanit në fitore diplomatike”.

Netanyahu po ashtu tha se njohja nga Trumpi e bën aleancën midis Izraelit dhe Amerikës “më të fortë dhe më të madhe se kurrë”.

Më herët, përcjell rel, Siria deklaroi se është e vendosur të rimarrë Rrafshnaltën e Golanit “përmes të gjitha mjeteve në dispozicion”.

Rrafshnalta Golan ndodhet rreth 60 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të Sirisë, Damask, dhe mbulon rreth 1,200 kilometra katrorë.

Në vitin 2017, Trump e njohu edhe Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe urdhëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane atje nga Tel Avivi.

Ky vendim u dënua nga palestinezët, të cilët e duan Jerusalemin Lindor për kryeqytet të shtetit të ardhshëm palestinez.

Exit mobile version