Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump do të zhvillojë sot vizitën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, pas fitores në zgjedhjet presidenciale, ku do të takohet me presidentin aktual, Barack Obama.
Disa orë pasi Trump fitoi garën presidenciale ndaj rivales demokrate, Hillary Clinton, Obama premtoi të hapë rrugën për një tranzicion të qetë të pushtetit, përkundër “dallimeve të theksuara”.
Obama gjithashtu foli edhe me demokratët që votuan kundër Trumpit dhe ende nuk e kanë pranuar presidencën e tij, ndërkohë që mijëra veta kanë dalë në rrugë për të protestuar.
“Ne jemi të gjithë në një ekip”. Ne jemi amerikanë para së gjithash”, tha Obama.
Trump do të betohet më 20 janar për të marrë qeverisjen nga Obama, i cili po e përmbyllë mandatin e tij të dytë katër vjeçar.