Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u bëri thirrje amerikanëve që të vaksinohen, për shkak të përhapjes së rasteve të fruthit.
“Vaksinat janë aq të rëndësishme”, u tha Trump gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë.
Rreth 700 raste të fruthit janë raportuar në 22 shtete të SHBA-së, tha Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e këtij vendi.
Normat e vaksinimit thuhet se kanë rënë në SHBA, pasi shumë prindër e kundërshtojnë atë për arsye filozofike ose fetare, ose besojnë në informacionet e diskredituara se vaksinat shkaktojnë autizëm te fëmijët.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në tre muajt e parë të vitit 2019 janë regjistruar mbi 110,000 raste të fruthit në botë.
Shifra paraqet rritje për 300% krahasuar me vitin e kaluar.