Presidenti amerikan Donald Trump u zotua se Shtetet e Bashkuara do të fitojnë kontrollin mbi Grenlandën, aktualisht një territor autonom danez, “në një mënyrë ose në një tjetër” gjatë fjalimit të tij në Kongres.
“Unë gjithashtu kam një mesazh sonte për popullin e jashtëzakonshëm të Grenlandës. Ne mbështesim fuqimisht të drejtën tuaj për të përcaktuar të ardhmen tuaj dhe nëse zgjidhni, ju mirëpresim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Ne kemi nevojë për Grenlandën për sigurinë kombëtare dhe madje edhe sigurinë ndërkombëtare, dhe ne po punojmë me të gjithë të përfshirë në përpjekje për ta marrë atë. Por ne kemi nevojë vërtet për sigurinë ndërkombëtare, për sigurinë botërore, dhe mendoj se do ta arrijmë. Në një mënyrë ose në tjetrën, ne do ta arrijmë”, tha Trump para të pranishmëve, transmeton Telegrafi.
Pas inaugurimit të tij në janar, Trump refuzoi të përjashtonte përdorimin e forcës për të sjellë Grenlandën nën sovranitetin amerikan.
Si kryeministrja daneze Mette Frederiksen, ashtu edhe kryeministri i Grenlandës, Múte Egede, kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur që territori të vinte nën kontrollin e SHBA.
Duke folur në janar, Egede, i cili ka bërë fushatë që Grenlanda të bëhet e pavarur nga Danimarka, tha se grenlandezët “nuk duan të jenë amerikanë”.
Frederiksen tha se “duhet të ketë respekt për territorin dhe sovranitetin e shteteve”, duke shtuar se ajo “nuk kishte arsye të besonte se ekziston ndonjë kërcënim ushtarak ndaj Grenlandës ose Danimarkës”.
Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen ishte i drejtpërdrejt duke i thënë gazetarit se Trump “nuk do ta ketë Grenlandën”, duke shtuar: “populli grenlandez është një popull, gjithashtu në kuptimin e ligjit ndërkombëtar”.
Një sondazh i kryer nga Verian, në emër të gazetës daneze Berlingske dhe botimit grenlandez Sermitsiaq, zbuloi se vetëm gjashtë për qind e grenlandezëve janë në favor që territori të hyjë nën sovranitetin e SHBA.
Nga ana tjetër, 85 për qind ishin kundër idesë, ndërsa nëntë për qind thanë se nuk ishin të sigurt. Sondazhi u zhvillua midis 22 dhe 27 janarit dhe përfshiu 497 qytetarë grenlandezë mbi moshën 18 vjeç. /Telegrafi/