Gjykata në New York ka hapur sot zyrtarisht një proces të ri ndaj ish-presidentit amerikan, në të cilin ai akuzohet për pastrim parash.
Donald Trump, ndryshe nga gjyqet e mëparshme, këtë herë ka arritur në gjykatë dhe para fillimit të gjykimit ka thënë se nuk ka kryer asnjë krim.
“Ky gjykim mund të kishte nisur tre vjet më parë. Nuk ka asnjë rast këtu. Rasti ka të bëjë me dëmtimin tim në zgjedhje. Kjo është një kohë e tmerrshme për këtë vend. Një kohë e errët. Rrugët janë më ndryshe nga koha kur u largova nga New Yorku. Janë të pista dhe plot krim”, tha ai.
Gjykatësi Juan Merchan hodhi poshtë kërkesën e Trumpit për të pushuar çështjen në fillim të gjyqit.
“Mocionet e të pandehurit për pushimin e procesit janë refuzuar”, tha gjyqtari, raporton cnn.
Pas kësaj, gjyqtari konfirmoi zyrtarisht se gjykimi i jurisë do të fillojë më 25 mars.
Lidhur me vendimin e gjykatës është shprehur menjëherë avokati i Trumpit, Tedd Blanche, i cili e ka cilësuar vendimin një padrejtësi të madhe.
“Kjo e vendos Trumpin në një pozitë të vështirë”, tha avokati.
Ai po ashtu ka theksuar se caktimi i datës së fillimit të procesit paraqet edhe ndërhyrje në procesin zgjedhor për presidentin e SHBA-së.
Në momentin kur avokati i Donald Trumpit tha se data e gjykimit nuk ishte adekuate, gjyqtari i kërkoi atij të mos e ndërpriste, gjë që avokati nuk deshi ta respektonte.
Procedimi penal kundër Donald Trump në New York do të jetë i pari nga katër gjyqet me të cilat përballet ish-presidenti amerikan.
Përveç këtij rasti, kundër Trumpit janë hapur procese për ndërhyrje në rezultatet e zgjedhjeve, ndërhyrje në rezultate në Georgia, si dhe çështje për nxjerrjen e informacioneve nga dokumentet konfidenciale. /Telegrafi/