Site icon Telegrafi

Trump shtron iftar në Shtëpinë e Bardhë, ambasadorja Çitaku ulet përkrah tij (Foto/Video)

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka shtruar iftar në Shtëpinë e Bardhë. E prezent në këtë darkë të iftarit ka qenë edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila ishte ulur përkrahë presidentit Trump.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Çitaku, e cila ka falënderuar presidentin Trump për këtë darkë.

“Pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në darkën e iftarit të shtruar në Shtëpinë e Bardhë të isha e ulur përkrah Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Z. Donald J. Trump. Presidentit Trump i tregova se në shtetin tonë sekular, ka një kulturë tolerance dhe harmoni ndërmjet religjioneve”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se me presidentin Trump kanë diskutuar edhe për përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-ve në proceset e rëndësishme për Kosovën.

“Po ashtu, e njoftova në detaje mbi sfidat me të cilat ballafaqohemi aktualisht në Kosovë dhe biseduam mbi domosdoshmërinë e përfshirjes së drejtpërdrejtë të SHBA-ve në proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon shteti ynë i ri. Në darkë ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të administratës Amerikane, Zv Presidenti Pence, Sekretari i Mbrojtjes Shanahan, Sekretari i Thesarit Mnuchin, Ambasadorë,”, ka shkruar Çitaku. /Telegrafi/

Exit mobile version