Presidenti amerikan, Donald Trump nuk do të lejojë që zyrtarët amerikanë të merren në pyetje nga drejtësia ruse, pohoi sot zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.
“Ky është propozim që u bë në sinqeritet të plotë nga presidenti Putin, por presidenti Trump nuk është dakort”, theksoi Sanders.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Trump në Helsinki, Putin propozoi Uashingtonit mundësinë e marrjes në pyetje të 12 agjentëve të shërbimit sekret rus të akuzuar nga SHBA-ja, por me kushtin e një reciprociteti.
Mundësia që amerikanët do të merren në pyetje nga zyrtarë rusë ngjalli një valë polemikash në mesin e klasës politike në Uashington./kp/Telegrafi/