Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar mbrëmë (e mërkurë) një dokument, me të cilin urdhërohet që t’i jepet fund praktikës së ndarjes së fëmijëve nga prindërit emigrantë në kufirin e SHBA-ve.
Trump ka bërë një kthesë të madhe, duke urdhëruar Sigurinë Kombëtare që të mos i ndajë më fëmijët nga prindërit që besohet se janë futur ilegalisht në SHBA, transmeton Telegrafi.
“Nuk më pëlqen ndjenja që familjet të ndahen”, ka deklaruar Trump para gazetarëve.
Për këtë vendim të marrë nga Trump, besohet të ketë pasur ndikim të madh e bija e tij Ivanka që i tregoi fotografi të fëmijëve të mbyllur në kafaze, derisa bashkëshortja Melania ishte ajo që ia mbushi mendjen që të ndërron qëndrim.
“Ivanka dhe gruaja ime përkrahin fuqishëm idenë e mos ndarjes së fëmijëve nga prindërit. Mendoj se njëjtë ndihet çdo njeri që ka zemër”, ka shtuar Trump.
Me të nënshkruar dokumentin që ndalon ndarjen e fëmijëve nga prindërit, Ivanka ka komentuar veprimin e të atit.
“Faleminderit që urdhërove që të mos ndahen fëmijët nga prindërit në kufijtë tanë. Kongresi duhet të veproj tani dhe të gjej një zgjedhje konsistente që përfaqëson vlerat tona: vlera këto që na bëjnë të punojmë për një jetë më të mirë për ne dhe familjet tona”, ka deklaruar Ivanka.
Trump mendon se Kongresi duhet të ndërmerr masa tani – megjithatë ka shprehur haptazi idenë se vazhdon të jetë pro ndërtimit të murit në vijën kufitare me Meksikën.
Javën e kaluar opinioni në mbarë ishte shokuar, kur fotografi dhe pamje të ndryshme u publikuan nga qendra të ndryshme në Meksikë, ku shiheshin fëmijët e emigrantëve duke u ndarë nga prindërit. /Telegrafi/