Kandidati republikan për president, Donald Trump tha se ai “ndoshta” do të takonte presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili do të jetë në SHBA javën e ardhshme për një takim të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara mbi luftën e Rusisë në vendin e tij.
“Ndoshta, po”, tha Trump kur u pyet nëse ai do të takohet me liderin ukrainas, pa dhënë detaje të tjera.
Në muajt e fundit, disa liderë të tjerë botërorë që kanë vizituar SHBA-në për samite dhe takime me presidentin Joe Biden, kanë zhvilluar takim edhe me Trumpin, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, Trump përballet me zëvendëspresidenten demokrate Kamala Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA.
Zelensky tha në gusht se donte t’i paraqiste një plan paqeje Bidenit, Harrisit dhe Trumpit.
Ndërsa Trump dhe Zelensky biseduan në telefon në korrik, ata nuk kanë biseduar personalisht që nga mandati i Trumpit 2017-2021.
Ish-presidenti e ka përshkruar vazhdimisht ndihmën e SHBA-së për aleatin e saj në Evropën Lindore si humbje parash dhe ka refuzuar të thotë se dëshiron që Ukraina të fitojë. /Telegrafi/