Telegrafi

Trump mund të jetë në fletën e votimit në Michigan

Gjykata e Lartë e Michiganit refuzoi të shqyrtojë kërkesën e votuesve për diskualifikimin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump për zgjedhjet presidenciale amerikane shkaku i rolit që luajti në sulmin në Kongresin amerikan më 6 janar të vitit 2021.

Vendimi i lejon Trumpit të qëndrojë në fletën e votimit në atë shtet federal, ndryshe nga Colorado, ku Gjykata e Lartë hodhi poshtë javën e kaluar kandidaturën e ish-kreut të shtetit.

Gjykatësi i Gjykatës së Michiganit, i cili shqyrtoi për herë të parë rastin, tha se ligji i shtetit nuk u jep zyrtarëve zgjedhorë asnjë liri veprimi për të kontrolluar përshtatshmërinë e kandidatëve presidencial. Ai tha gjithashtu se rasti ngriti një çështje politike që nuk duhet të vendoset nga gjykata, raporton cnn.

Lexo po ashtu A mund të kandidojë Donald Trump për president pas vendimit të Colorados?

Vendimi u la në fuqi nga Gjykata e Apelit në Michigan, e cila deklaroi se “për momentin, e vetmja ngjarje që do të ndodhë janë zgjedhjet paraprake presidenciale. Por, siç shpjegohet, nëse Trump diskualifikohet nuk ka rëndësi edhe nëse vendoset në fletëvotim”.

Ndryshe nga Colorado, gjykatat e Michiganit e refuzuan çështjen tërësisht për arsye procedurale. Ata kurrë nuk arritën t’i japin përgjigje pyetjes nëse 6 janari ishte një kryengritje dhe nëse në të u përfshi Trump.

I ratifikuar pas Luftës Civile, Amendamenti i 14-të thotë se zyrtarët që bëjnë betimin për të mbrojtur Kushtetutën u ndalohet të marrin ndonjë posti publik nëse “angazhohen në kryengritje”. Amendamenti është zbatuar vetëm dy herë që nga viti 1919, por në formulim nuk përmend zgjedhjet presidenciale.

Padia në Michigan u ngrit në shtator nga një organizatë mbrojtëse, Free Speech For People, në emër të një grupi votuesish. /Telegrafi/