Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se ka gjasa të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, javën e ardhshme.
Shtetet e Bashkuara janë duke bërë përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe Zelensky ka thënë se është e rëndësishme që ata të takohen, para se Trumpi ta takojë presidentin rus, Vladimir Putin.
“Mbase do të takohem me presidentin Zelensky javën e ardhshme”, tha Trump.
Ai theksoi se vendtakimi “mund të jetë Uashingtoni”, duke shtuar se “unë nuk do të shkoj në Kiev”.
Trump është zotuar vazhdimisht se do t’i japë fund shpejt luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila këtë muaj hyn në vitin e katërt prej kur Putini e nisi agresionin më 24 shkurt 2022. Takimi do të ishte i pari mes tyre që nga fillimi i mandatit të ri të Trumpit më 20 janar.
Bëhet e ditur se Trump i bëri këto komente një javë para fillimit të Konferencës së Sigurisë në Munih, e cila do të mbahet nga 14 deri më 16 shkurt, ku lufta më e madhe në Evropë që nga viti 1945 pritet të jetë një nga temat kryesore të diskutimit, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Zelensky pritet të marrë pjesë në këtë konferencë vjetore, ashtu si edhe i dërguari i posaçëm i Trumpit për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, i cili këtë javë mohoi raportimet se Shtetet e Bashkuara do ta zbulonin një plan paqeje për Ukrainën në këtë takim.
Trump dhe anëtarët e administratës së tij kanë dhënë pak hollësi rreth ndonjë propozimi specifik për përfundimin e luftës, por Kellogg ka thënë së fundmi se të dyja palët do të duhet të “bëjnë disa lëshime”.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, Zelensky tha se është “shumë e rëndësishme” që ai dhe Trump të takohen para se Trump të takohet me Putinin, duke theksuar se “përndryshe, do të dukej si një dialog për Ukrainën pa Ukrainën”.
“Është ende e rëndësishme që partnerët të diskutojnë çështjet e tyre më parë dhe pastaj të kenë një bisedë me armikun”, tha Zelensky.
Nuk pa pasur njoftime deri tani rreth planeve konkrete për një takim mes Trumpit dhe Putinit.
Ndryshe, Zelensky përsëriti thirrjen e tij për garanci të forta të sigurisë nga Perëndimi për Ukrainën si pjesë e çfarëdo armëpushimi apo marrëveshjeje paqeje dhe tha se është thelbësore që Perëndimi ta përcaktojë një strategji të gjerë, para se të zhvillohen bisedime me Moskën.
Ai shtoi se ekipi i tij ka pasur kontakte të rregullta me Kellogg dhe me këshilltarin për sigurinë kombëtare të Trumpit, Michael Waltz.