Ukraina përballet me perspektiva jashtëzakonisht të ndryshme nën një presidencë të mundshme të kandidatëve Donald Trump apo Kamala Harris.
Ndërsa fushata e zgjedhjeve presidenciale po i afrohet fundit, asnjëri nga kandidatët nuk ka përcaktuar saktësisht se si planifikojnë të merren me luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, ekspertët thonë se në të njëjtën periudhë, vetë beteja në Ukrainë ka ndryshuar rrënjësisht, duke i dhënë më shumë pushtet Ukrainës në përcaktimin e fatit të saj.
Analistët kanë qëndrime të ndryshme për të ardhmen e Ukrainës nëse kandidati republikan për president Donald Trump fiton një mandat të dytë.
“Mendohet gjerësisht se kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë nuk është skenari më i mirë për Ukrainën, megjithëse ka edhe mendime të tjera se gjendja mund të mos jetë aq keq”, thotë Oleksiy Melnyk nga organizata ukrainase ‘Razumkov’.
Ish-presidenti Trump ka thënë se do t’i japë fund luftës me shpejtësi edhe pse kandidati i tij për zëvendëspresident JD Vance më parë ka thënë se ‘nuk i intereson’ Ukraina duke i bërë ukrainasit të pasigurt se çfarë të mendojnë.
Një presidencë e mundshme e kandidates demokrate Kamala Harris gjithashtu mbetet e paqartë për ukrainasit.
Harris është takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ka përfaqësuar presidentin Biden në takimet e nivelit të lartë për siguri transatlantike.
Megjithatë, përgjatë fushatës zgjedhore Harris ka folur shkurtimisht për Ukrainën dhe se si ajo ndryshon nga rivali i saj Trump.
“Trumpi inkurajoi Putinin që të sulmojë aleatët tanë. Ai tha se Rusia mund të bëjë çfarë të dojë. Pesë ditë para se Rusia të sulmonte Ukrainën, unë u takova me presidentin Zelensky për ta paralajmëruar atë për planin e Rusisë. Unë ndihmova në mobilizimin e një reagimi global të mbi 50 vendeve kundër agresionit të Putinit. Si presidente, unë do të mbaj qëndrim të fortë për Ukrainën dhe aleatët tanë të NATO-s”, tha Harris.
Analistët thonë se Harris ka të ngjarë të vazhdojë politikat e Bidenit në mbështetje të Ukrainës.
Ndërkaq, deklaratat për politikën e jashtme të ish-presidentit Trump mbeten po aq të paqarta si më parë. Kjo përfshinë edhe zotimin se ai do t’i japë fund luftës brenda një dite:
“Nuk është plotësisht e qartë se si do ta bëjë ai këtë. Frika është se ai do ta bëjë këtë thjesht duke braktisur Ukrainën, duke ndërprerë fondet dhe duke i bërë trysni presidentit Zelensky për negociata në një kohë kur Putini do të kishte mundësi të forconte pozitën e tij në negociata”, thotë Andrew Payne nga Universiteti i Londrës.
Megjithatë, Payne thotë se tani fushëbeteja është zhvendosur me vendimin e forcave ukrainase për të goditur përtej kufirit dhe për të marrë nën kontroll territor rus.
Ndërsa analistët parashikojnë se Ukraina as nuk do të kërkojë dhe as do të ketë sukses në mbajtjen e këtij territori, realiteti i ri do të ndihmojë Kievin, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara.
Analisti Andrew Payne thotë gjithashtu se presidenti Biden mund të ndërhyrjë në një fazë kyçe.
“Nuk do të prisja ndonjë ndryshim në qëndrimin e Uashingtonit për operacionet ushtarake të Ukrainës para nëntorit, por duhet pritur se çfarë do të ndodh në periudhën në mes të nëntorit dhe janarit, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet, për të parë nëse Ukrainës do t’i ofrohet pak më shumë hapësirë veprimi”, thotë analisti Payne.
Ndërsa të dy kandidatët vazhdojnë garën, ajo që mund të ndodhë në Ukrainë mund të mos varet nga presidenti amerikan, kushdo qoftë ajo apo ai.