Site icon Telegrafi

Trump: Biden është ‘100% në anën e palestinezëve’ – nuk e kuptoj se si hebrenjtë votojnë për demokratët

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pretendon se pasardhësi i tij Joe Biden është “100 për qind” në anën e palestinezëve.

“Çdo hebre që voton për Bidenin nuk e do Izraelin dhe sinqerisht, duhet t’i flitet – si mund të votojë një hebre për Bidenin apo demokratët sepse ata janë në anën e 100% të palestinezëve…”, citohet të ketë thënë Trump, përcjell Telegrafi.

“Sinqerisht, është e pabesueshme që historikisht hebrenjtë votojnë për demokratët. Unë nuk e kuptoj këtë”, ka shtuar ai.

“Unë kam qenë më pro-izraelit se çdo president tjetër deri tani me Lartësitë Golan…”, ka thënë më tej Trump, duke theksuar vendimet e tij për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e Iranit, njohja e Jerusalemit si kryeqyteti i Izraelit dhe zhvendosja e ambasadës amerikane atje.

“Ndoshta është thjesht një zakon i keq kur voton për një demokrat, por nuk e di se si dikush që është hebre voton për një demokrat”, ka pretenduar ai.

Biden ka mbetur kryesisht i palëkundur në mbështetjen e tij për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por ka kërcënuar seriozisht kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me pasoja nëse Izraeli nuk ndryshon mënyrën se si po zhvillonte luftën e tij.

Dhe Trump javën e kaluar tha se Izraeli duhet të “përfundojë atë që filloi” dhe “ta mbaronte shpejt”, pasi ai tha se Izraeli “po e humbiste luftën në raport me publikun” për shkak të pamjeve që dilnin nga Gaza. /Telegrafi/

Exit mobile version