Donald Trump ka deklaruar se do të dëshironte që Rusia të kthehej në grupin e ekonomive të përparuara të G7 dhe se dëbimi i vendit “ishte një gabim”.
Bëhet e ditur se Rusia kishte qenë anëtare e grupit të kombeve të industrializuara, i njohur atëherë si G8, derisa u përjashtua pas aneksimit të rajonit të Krimesë të Ukrainës në vitin 2014.
“Do të doja t’i ktheja. Mendoj se ishte një gabim t’i flakësh jashtë. Shiko, nuk është çështja të pëlqesh Rusinë apo të mos pëlqesh Rusinë”, tha presidenti amerikan.
Ai njoftoi gjithashtu se “njerëz të nivelit të lartë nga Rusia” do të marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih të premten, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
“Rusia do të jetë atje me njerëzit tanë. Ukraina është gjithashtu e ftuar”, shtoi presidenti.
Raportohet se gjatë një sërë njoftimesh me ritme të shpejta, duke përfshirë një seri tarifash tregtare të SHBA-së, ai tha gjithashtu se dëshiron të diskutojë reduktimin e shpenzimeve të mbrojtjes me Rusinë dhe Kinën, të përgjysmojë shpenzimet e brendshme të mbrojtjes dhe të mbështesë lëvizjet drejt heqjes së armëve bërthamore.
Presidenti amerikan kishte njoftuar tashmë të mërkurën se ai dhe Vladimir Putin do të fillonin bisedimet e paqes “menjëherë” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. /Telegrafi/