Në një intervistë për Fox Nevvs, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar akuza të ashpra në drejtim të paraardhësit të tij në zyrë, Barak Obama, duke u shprehur se ky i fundit mund të jetë personi që qëndron pas protestave të shumta që janë organizuar së fundmi, ose pas rrjedhjes së informacioneve të klasifikuara që janë publikuar nga mediat.
Lideri i Uashingtonit nuk paraqiti prova për deklaratat e tij, por theksoi se padyshim që pas këtyre zhvillimeve qëndron dikush, që mund të jetë ose vetë Obama, ose mbështetës të ish-Presidentit.
“Unë mendoj se Presidenti Obama qëndron pas këtyre ngjarjeve, pasi sigurisht që dikush ka gisht në këto zhvillime. Disa prej materialeve të klasifikuara që kanë dalë në media mund të kenë dalë nga ky grupim dhe kjo është një cështje serioze pasi ato mund të dëmtojnë vendin tonë kur flitet në termat e sigurisë kombëtare. Megjithatë, më lejoni t’a shpreh qartë se unë e kuptoj që bëhet fjalë për politikë dhe me shumë mundësi kjo situatë do të vazhdojë”.
Më tej, Donald Trump u pyet edhe në lidhje me vonesat në emërimin e disa zyrtarëve të lartë të kabinetit qeverisës. Presidenti u shpreh se administrata po merr kohën e nevojshme që të gjenden kandidatët më të mirë të mundshëm e që më pas të vendosen në shërbim të qytetarëve amerikanë, transmeton oranews.
Deklarata e Trump ka ardhur kur na ndajnë vetëm pak orë nga fjalimi i parë që do të mbajë Presidenti në një seancë të përbashkët të Kongresit Amerikan. Në këtë përballje të parë me ligjvënësit, lideri i Uashingtonit pritet të shpalosë për herë të parë në mënyrë më të detajuar, planet dhe vizionin e tij për katër vitet që do të vijnë.