Barcelona tashmë ka nisur planet për sezonin e ardhshëm, teksa po kërkojnë të lënë prapa krahëve sezonin nga i cili tashmë veçse janë ‘dorëzuar’ që në muajin shkurt. Gjërat i bën edhe më të ndërlikuara njoftimi i Xavit për largim, andaj kjo verë do të jetë mjaft interesante për t’u parë.
Raportimet e fundit thonë se Barcelona tashmë ka planifikuar që të shesë të paktën pesë lojtarë gjatë verës, ku pastaj synohet që të bëhet transferimi i dy lojtarëve të tjerë. Sidoqoftë, numri i shitjeve mund të rritet, bazuar në situatën e mbetur peng të dy lojtarëve.
Ronald Araujo ka kontratë me klubin deri në 2026, dhe teksa publikisht e ka shprehur dëshirën për të qëndruar në Kataloni, ai ka qenë i lidhur me një kalim tek Bayern Munich. Raportimet jashtë Spanjës thonë se ai është shumë i lumtur për interesimin e Bayernit dhe ishte vetëm intervenimi i Xavit që e pengoi atë të largohet në janar.
Barcelona do të mundohet që ta rinovojë kontratën e tij, por mediumi katalan SPORT ka thënë se në rast se palët nuk gjejnë një marrëveshje, atëherë drejtori sportiv Deco do ta shesë atë.
E njëjta vlen edhe për Frenkie De Jong. Pasi Barcelona u mundua ta ‘detyrojë’ atë që të largohet në drejtim të Manchester United në 2022, dukej se të dy palët kanë bërë paqe, veçanërisht pas performancave fantastike të holandezit sezonin e kaluar.
Përsëri paga e De Jong do të rritet edhe një herë tjetër për shkak të një marrëveshje që ka pasur me ish-presidentin e klubit Josep Maria Bartomeu, një shumë e cila raportohet të jetë diku rreth 37 milionë euro në sezon.
Sidoqoftë, Deco do t’i ofrojë atij një kontratë të re dhe ta sjellë pagën e tij në linjë me pjesën tjetër të ekipit, në rast se De Jong nuk pranon, atëherë edhe atë do ta presë fati i largimit./Telegrafi/