Joachim Low, selektori i Gjermanisë, e ka zbuluar se kanë vëzhguar Kombëtaren shqiptare, kundërshtari i mundshëm në 1/8 e finales së Euro 2016.
Gjermania u kursye ndaj Irlandës së Veriut në dëm të Shqipërisë, por kjo nuk do të thotë se skuadra e Joachim Löw i ka nënvlerësuar kuqezinjtë.
Vetë trajneri ka zbuluar për “Badische Zeitung” se ishin të përgatitur për çdo eventualitet të mundshëm për turin tjetër të Euro 2016.
“Është ende herët të flas për kundërshtarët e mundshëm. Sinqerisht, ky sistemi i vendit të tretë është shumë i komplikuar edhe për mua. Në teori janë Sllovakia dhe Shqipëria. Kundër Sllovakisë kemi luajtur disa javë më parë në Augsburg duke u mundur 3-1. Ndaj sllovakëve e dimë mirë se çfarë na pret”, ka deklaruar ai.
“Ndërsa shefi i skautëve tanë, Urs Sigentaler, ka ndjekur herë pas here Shqipërinë”, konfirmoi Joachim Löw.
Gjermania mund të kishte ndihmuar Shqipërinë me një fitore bindëse ndaj Irlandës së Veriut, me 4-5 gola diferencë, por takimin e mbylli me rezultat minimal 1:0.