Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e artë në Lojërat Evropiane “Minsk 2019” që po mbahen më Bjellorusi.
Xhudistja pejane ka arritur të fitojë një medalje historike pas triumfit në finalen e Minsk 2019.
Majlinda Kelmendi i sjell medaljen e parë të artë Kosovës nga Lojërat Evropiane, duke e rikthyer gjithashtu edhe veten në nivelet e larta të xhudos.
Kampionia Olimpike fitoi medaljen e artë në garat e xhudos pasi mposhti me pikë të artë xhudisten ruse, Natalia Kuziutina, në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Pejania gjithashtu ‘nxori hakun’ e Distria Krasniqit, e cila kishte humbur në finalen e evropianit të kaluar nga kjo garuese ruse.
Kjo është medalja e parë e artë në histori të Kosovës në dy pjesëmarrjet në Lojërat Evropiane, ndërsa për Majlindën është titulli i katërt.
Më poshtë keni edhe videon e plotë të fitores së Majlindës ndaj ruses Kuziutina. /Telegrafi/