Liverpooli është treguar i pamëshirshëm ndaj Crvena Zvezdas duke e mposhtur me rezultat 4-0 në Anfield, në ndeshjen e vlefshme për fazën grupore të Ligës së Kampionëve.
Rezultati u zhbllokua pas 20 minutash me golin e Roberto Firminos, i cili u asistua nga Andreë Robertson.
Mesfushori shqiptar, Xherdan Shaqiri, ishte arkitekt i golit të dytë, pasi dhuroi asistimin final te golashënuesi Mohamed Salah (45′).
Salah e shënoi golin e tretë të vendasve nga pika e bardhë (51′) pas një penalltie të akorduar.
Një tjetër penallti për Liverpoolin u akordua në minutën e 76-të, mirëpo Sadio Mane dështoi nga pika e bardhë.
Mirëpo, Mane e përmirësoi gabimin e tij duke shënuar golin e katërt në minutën e 80-të të takimit.
Kjo ishte fitorja e dytë grupore e Liverpoolit që ka pësuar edhe një humbje dhe mban kreun e Grupit C me gjashtë pikë. /Telegrafi/