Telegrafi

Triumf bindës i Prishtinës ndaj Drenicës në ndeshjen e parë gjysmëfinale

Me rezultat 3-0, Prishtina e ka mposhtur Drenicën në ndeshjen e parë gjysmëfinale e Digitalb Kupës së Kosovës që u zhvillua në kryeqytet.

Skuadra nikoqire e dominoi pjesën e parë të takimit në stadiumin “Fadil Vokrri” duke krijuar më shumë nga loja dhe e donte më shumë golin.

Rezultati i zhbllokua në minutën e 29-të kur pas një harkimi të ulët të John nga krahu i majtë, mbrojtja mysafire dështoi ta pastronte topi dhe Ahmed Januzi realizoi me lehtësi.

Një tjetër harkim fantastik në zonë, kësaj radhe nga Armend Thaqi bëri që Januzi ta shënonte golin e dytë personal (44’) duke goditur në qendër të portës.

Në minutat e para të pjesës së dytë, lojtarët e Drenicës u përpoqën që t’i ndryshonin gjërat, mirëpo nuk ia dolën të tregoheshin efektivë. Nga ana tjetër, nuk munguan as rastet e kryeqytetasve, të cilët kanë mundur ta ngrenë më tepër epërsinë e tyre.

Kur po afrohej fundi i takimit, Diar Miftaraj e preku topin me dorë, ndërsa Hasan Hyseni goditi jashtë portës (89’) duke dështuar ta konvertojë në gol.

Dhe menjëherë erdhi ndëshkimi. Lojtarët e inkuadruar nga banka rezervë, Mankenda dhe Meriton Korencia u përfshinë në golin e tretë (90’). I pari harkoi, ndërsa i dyti realizoi.

Prishtina do të shkojë me epërsi bindëse në stadiumin “Bajram Aliu”, ku Drenica do ta ketë shumë të vështirë që t’i ndryshojë gjërat në ndeshjen e kthimit. /Telegrafi/