Një tribunal i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka vendosur që Rusia duhet “menjëherë” të lirojë 24 marinarët ukrainas dhe tri anijet detare të Ukrainës, që Moska i konfiskoi në nëntorin e vitit të kaluar.
Tribunali Ndërkombëtar për Ligjin e Detit publikoi sot vendimin, lidhur me çështjen që ka dërguar në këtë gjykatë Ukraina ndaj Rusisë.
Rusia konfiskoi anijet ukrainase në nëntor, në afërsi të urës në Ngushticën Kërç, që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë.
Marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës janë të tensionuara, që prej se Moska e aneksoi Krimenë më 2014 dhe ofroi mbështetje ushtarake, politike dhe ekonomike, për separatistët që po luftojnë kundër Kievit, në pjesët lindore të Ukrainës.
Presidenti i Tribunalit, Jin-Hyun Paik tha se gjyqtarët kanë vendosur që Rusia duhet “menjëherë” t’ia kthejë Ukrainës tri anijet dhe të lirojë marinarët.
Pas publikimit të këtij vendimi, Ministria e Jashtme ruse tha se Konventa e OKB-së mbi Ligjin për Detin, nuk mund të aplikohet në atë që e cilësoi si “mosmarrëveshje rreth incidentit në Ngushticën Kërç”, thuhet në njoftim, të cilin e ka cituar agjencia e lajmeve, Interfax.
Ky vendim, sipas njohësve, nuk pritet që definitivisht Ukraina të ketë qasje në Detin Azov, ku Rusia ka vendosur kufizime, që prej se ura në Ngushticën Kërç është ndërtuar.
Ukraina ka hedhur poshtë akuzat e Rusisë se anijet e saj në mënyrë të paligjshme kanë lundruar në ujërat territorial të Rusisë.
Bashkimi Evropian, NATO dhe trupa të tjerë ndërkombëtarë i kanë bërë thirrje Moskës që t’i lirojë anijet dhe marinarët e arrestuar.