Telegrafi

Tri zonat e lira ekonomike që nuk janë

Tri qytetet e Kosovës e kanë humbur epitetin e zonës së lirë ekonomike, të cilin e patën vetëm në letër. Prizreni, Mitrovica e Gjakova ishin shpallur zona të lira ekonomike me vendim të Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqej nga kryeministri Hashim Thaçi e zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, shkruan sot Koha Ditore.

Vendimet ishin marrë në mars të vitit 2014, në kohën kur të gjitha partitë bënin fushatë për zgjedhjen e qershorit.

Qeveria synonte të nxiste investimet nëpër këto qytete, në të cilat do të aplikoheshin kushte e tjera fiskale krahasuar me qytetet e tjera nëpër Kosovë. Deri më tani nuk është marrë asnjë hap për jetësimin e këtyre zonave të lira ekonomike.

Për më tepër, Qeveria aktuale nuk e ka në program që t’i vërë në funksion këto vendime të Qeverisë së kaluar, që është udhëhequr nga Thaçi, që tashmë është zëvendëskryeministër.

Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Hykmete Bajrami, thotë se Qeveria e ka bërë gjithë Kosovën zonë të lirë ekonomike. /Telegrafi/