Telegrafi

Tri vrasje brenda pak ditësh në Kosovë, të dyshuarit ende në kërkim

Brenda pak ditësh në Kosovë kanë ndodhur tri vrasje të rënda dhe janë plagosur disa të tjerë, gjersa të dyshuarit e këtyre veprave penale ende janë në kërkim nga Policia e Kosovës.  

Vrasja e fundit ka ndodhur të enjten, në komunën e Skenderajt, në qendër të Kosovës. Në një kafene, në fshatin Runik, një 39-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur.

Mirëpo, dy të dyshuarit (me maska) të kësaj vepre penale ende janë në arratisje dhe në kërkim nga Policia e Kosovës.

Lexo po ashtu Pamje të rënda pas vrasjes në Runik të Skenderajt

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nuk ka ndonjë risi për kapjen e të dyshuarve.

Po ashtu, katër ditë më parë, më 7 gusht, në një lokal në qytetin e Klinës, në pjesën perëndimore të Kosovës, me armë zjarri u vra një person rreth të 50-tave, Anton Prela.

Lexo po ashtu Vrasja në Klinë, Prokuroria e Pejës aktivizon dronë për kapjen e Frrokut

Tush Frroku i dyshuari për këtë vrasje është ende në arrati dhe në kërkim nga Policia e Kosovës.

Këtë e bëri të ditur për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Ende nuk ka asgjë sa i përket arrestimit të të dyshuarit”, ka thënë shkurt Gashi.

Kurse, më 4 gusht, në një kafene në qendër të Prishtinës, një person u vra dhe 17 persona të tjerë u plagosën gjatë një përleshjeje me armë zjarri.

Lexo po ashtu Plagosjet në Bon Vivant, vdes njëri nga të lënduarit

E, në arrati vazhdon të jetë personi që u përfshi në ngjarje, Dukagjin Nikollaj i njohur me nofkën “Duka”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci theksoi se ende nuk ka asgjë për arrestim e tij. Ndryshe këto raste kanë tronditur opinionin publik, në të njëjtën kohë është kërkuar angazhim më i  ashpër nga organet e sigurisë./Telegrafi/