Palermo është destinacioni më i mundshëm për ndeshjen Itali-Shqipëri të 24 marsit.
Mediat italiane japin disa alternativa për sfidën eliminatore të radhës për kuqezinjtë e De Biasit, të cilët do të vizitojnë Italinë për sfidën e parë të Grupit G ndaj të kaltërve.
Në këtë mënyrë, Federata Italiane e futbollit po studion alternativat dhe në radhë të parë qëndron hipoteza e stadiumit të Palermos, “Renzo Barbera”.
Gjithsesi, “Gazzetta Dello Sport” thekson se drejtuesit e federatës nuk kanë marrë ende një vendim përfundimtar dhe dy alternativa të tjera janë “Dacia Arena” në Udine dhe stadiumi i Sassuolos në Regio Emilia.
Krahasuar me dy alternativat e fundit, hipoteza Palermo mund të rezultojë edhe më e preferuara për federatën italiane.
Në zonën e Sicilisë, komuniteti i shqiptarëve është më i vogël se sa në pjesën tjetër të Italisë dhe në këtë mënyrë do të reduktohej ndjeshëm numri i shqiptarëve në stadium, ashtu siç ndodhi në përballjen miqësore të Gjenovës ku ngjyrat kuqezi ndezën stadiumin “Luiggi Ferraris”.
Në krahun tjetër, Udine mund të rezultojë një stadium më i përshtatshëm për shkak të numrit të madh të shqiptarëve në zonën e Friulit, ndërsa “Mapei Stadium” në Reggio Emilia ka një kapacitet prej 23 mijë vendesh dhe sektori i tifozëve kuqezi do të ishte i kufizuar.