Site icon Telegrafi

Tri qytetet më të mira për t’i vizituar gjatë vjeshtës

Gjatë stinës së vjeshtës ditët shkurtohen, temperaturat bien dhe ritmi i jetës ngadalësohet pakëz.

Qoftë nëse jeni duke kërkuar ta zgjatni verën, t’i shmangni turmat apo thjesht me padurim keni pritur t’i shihni gjethet e arta duke rënë nga pemët, më poshtë i keni të zgjedhura disa prej destinacioneve më të mira për t’i vizituar gjatë vjeshtës, transmeton Telegrafi.

Utrecht, Holandë

Me ardhjen e vjeshtës, nuancat e të verdhës, të kuqes dhe portokallit i stolisin kanalet e lashta të Utrecht-it.

Kanalet që datojnë prej shekullit të 12-të janë me të vërtetë ndër më të veçantit në botë.

Interesantja është se këto kanale ishin krijuar asisoj që të krijohet një qytet i brendshëm në mënyrë që barkat të lundrojnë dhe t’i shkarkojnë mallrat drejt në bodrumet që gjendeshin në trotuaret e këmbësorëve.

Ditëve të sotme, këto bodrume janë transformuar në kafene, bare, restorante e dyqane komode. Mënyra më e mirë për ta shijuar këtë mrekulli është përmes barkës.

Tuscany, Itali

Italia e merr me shumë seriozitet korrjen gjatë vjeshtës!

Datat e sakta ndryshojnë çdo ditë varësisht nga moti, por Sagret (festivalet e korrjes) mbahen në nderim të çdo gjëje, duke filluar nga gështenjat e te kërpudhat, te kungujt e madje deri te poenta.

Vjeshta është koha ideale për të udhëtuar në Tuscany – regjion që gjendet në zemrën e traditës gastronomike italiane – kur temperaturat janë më të mira gjatë ditës, më të freskëta gjatë natës dhe peizazhi lulëzon me ngjyra të shndritshme, me zëra e me aroma të jetës fshatare.

Merrni pjesë në traditën shumëvjeçare të Vendemmia-s (korrja e rrushit) dhe mësoni për verërat lokale dhe mënyrën si bëhen ato.

Lisbona, Portugalia

Një nga avantazhet e të udhëtuarit jashtë sezonës, përfshihet ulja e çmimeve.

Nëse jeni duke kërkuar një zgjedhje për buxhet të limituar, atëherë kryeqyteti i Portugalisë është një nga vendet më të lira që duhet vizituar.

Edhe gjatë vjeshtës dielli shndritë, ndërkaq temperaturat janë të kënaqshme me rreth 25 gradë Celsius, dhe hotelet e restorantet ofrojnë zbritje.

Qëndroni në qendër dhe eksplorojeni historinë shekullore dhe arkitekturën e qytetit – ose hipni në tren në stacionin Cais do Sodre dhe mund ta gjeni veten të shtrirë në plazh brenda 30 mintuave. /Telegrafi/

Exit mobile version