Telegrafi

Tri ndeshje – tri fitore, Rahoveci mposht edhe Bashkimin

(Foto: Facebook/KB Rahoveci)

Skuadra e Rahovecit është treguar bindëse edhe në fitoren ndaj Bashkimit (78-54) që u zhvillua pa praninë e tifozëve në palestrën “Mizahir Isma”.

Vendasit e nisën më mirë sfidën që nga fillimi duke e fituar me dhjetë pikë epërsi çerekun e parë (23:13), ndërsa katër pikë më shumë se kundërshtari i realizuan në dhjetëminutëshin e dytë (18:14).

Edhe pas kthimit nga pushimi, nikoqirët vazhduan të luanin më mirë, duke e fituar edhe fraksionin e tretë (19:12) edhe të katërtin (18:15).

Kjo ishte fitorja e tretë e Rahovecit nga po aq ndeshje të zhvilluara, ndërsa për Bashkimin ishte humbja e dytë (që numëron edhe dy fitore).

Ndryshe, kjo ishte edhe ndeshja e dytë të cilën ‘Vreshtarët’ e zhvilluan pa praninë e tifozëve dhe në këtë mënyrë ka përfunduar edhe dënimi i tyre.

“Me ndeshjen ndaj Bashkimit, kemi mbyllur edhe dënimin për dy ndeshje pa shikues. Shpresojmë qe më asnjëherë nuk do ta kemi këtë pamje në arenën më të zjarrtë në Kosovë, ‘Mizahir Isma'”, thuhet në një njoftim të Rahovecit. /Telegrafi/