Sipas mjekëve, sulmet ajrore izraelite në Gaza rrafshuan tri ndërtesa dhe vranë të paktën 26 njerëz të dielën në sulmin më vdekjeprurës që nga shpërthimet e ashpra të hënën e kaluar.
Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se 10 gra dhe tetë fëmijë ishin midis atyre që u vranë, me 50 persona të tjerë të plagosur në sulm dhe dhjetëra u tërhoqën nga rrënojat.
Këto sulme të fundit erdhën pas një dite tjetër të bombardimeve të mëdha nga Forca e Mbrojtjes së Izraelit të shtunën, nga ku u vranë gjithashtu një familje me 10 anëtarë në kampin al-Shati. Dy gra dhe tetë fëmijë ishin midis të vdekurve.
Ndërkohë një sulm i veçantë i njoftuar nga IDF goditi ndërtesë që strehonte organizata mediatike, përfshirë Associated Press dhe Al-Jazeera.
Që kur filluan luftimet për dëbimin e palestinezëve nga Jerusalemi Lindor, të paktën 181 palestinezë dihet se janë vrarë në Gaza, duke përfshirë 52 fëmijë dhe 31 gra. Tetë izraelitë janë vrarë, mes tyre një ushtar dhe një djalë pesë vjeçar.
Amnesty International ka dhënë alarmin për krimet e mundshme të luftës që po kryhen në Rripin e Gazës, duke përfshirë shënjestrimin e dukshëm të civilëve dhe një ndërtese mediatike dhe i bëri thirrje Gjykatës Penale Ndërkombëtare për të hetuar.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për numrin në rritje të vdekjeve”, ka thënë organizata e të drejtave të njeriut përmes një postimi në Twitter të dielën, duke shtuar: “Sulmet e drejtpërdrejta ndaj civilëve janë krime lufte”.
Ndryshe, Izraeli mendohet të ketë shtuar sulmet ajrore ditët e fundit për të shkaktuar sa më shumë dëme në Hamas ndërsa ndërmjetësuesit ndërkombëtarë po përpiqen të ndërmjetësojnë një armëpushim.
Ndërkohë gjithashtu të dielën, Organizata e Bashkëpunimit Islamik me 57 kombe hapi një takim urgjent për të diskutuar se si të adresohet konflikti në lëvizjen e parë të madhe nga vendet islamike për të paraqitur një front të unifikuar. /Telegrafi/