Telegrafi

Tri kompani të përpunimit të drurit nga Kosova marrin pjesë në Panairin Swissbau

Lesna, Elnor dhe Shehu janë tri kompanitë e përpunimit të drurit që përfaqësojnë për herë të parë Kosovën në Panairin Swissbau, i cili organizohet në Basel, Zvicër, në datat 12-16 janar 2016. Panairi Swissbau është panairi kryesor në Zvicër për industrinë e drurit dhe të ndërtimit.

Tri kompanitë nga Kosova që marrin pjesë në panair: Lesna, Elnor dhe Shehu, do të ekspozojnë produktet e tyre për bizneset dhe klientët e interesuar kryesisht në Zvicër dhe nga vende të tjera evropiane. Produktet e ekspozuara nga këto kompani përfshijnë dyer, dritare, kuzhina, shkallë prej druri dhe mobilje të tjera.

Pjesëmarrja e tri kompanive të Kosovës në Panairin Swissbau është mundësuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Usaid Empower Sektori Privat dhe PPSE-Swisscontact, me mbështetje edhe nga Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës. /Telegrafi/