Tri aksidente komunikacioni të njëpasnjëshme kanë ndodhur pasditen e sotme në magjistralen Prishtinë-Pejë.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi.
Ai ka thënë se aksidentet kanë ndodhur rreth orës 18:29, ndërkaq janë përfshirë 12 vetura.
Ndërkaq, shtatë persona janë deklaruar se kanë pësuar lëndime nga tri aksidentet.
Tutje thekson se policia, konkretisht njësitet e autostradës janë duke u marrë me rastet.
“Aksidentet kanë ndodhur në një distancë jo të largët (brenda prej një kilometri), në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë. Në një aksident janë të përfshira pesë vetura, në tjetrin katër dhe në të tretin tri, pra në tri aksidentet janë të përfshira dymbëdhjetë vetura. Këto janë informatat fillestare nga njësitet në teren, sipas tyre janë edhe shtatë persona të lënduar”, tha Krasniqi.
Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë kanë ndodhur 51 aksidente trafiku, 20 me persona të lënduar kurse 31 vetëm me dëme materiale. /Telegrafi/
—-
—