Site icon Telegrafi

Trepça triumfon me lehtësi ndaj Vëllaznimit dhe kalon në gjysmëfinale

(Foto: basketbolli.com)

Trepça është skuadra e parë gjysmëfinaliste e Kupës së Kosovës, pasi mundi Vëllaznimin me 81-56 (32:15, 21:15, 20:15, 8:11).

Mitrovicasit e nisën ndeshjen më mirë dhe minutë pas minute e shtuan epërsinë, që e kishin edhe dyshifrore 26:13, madje edhe e thelluan në 32:15, sa e fituan çerekun e parë.

‘Xehetarët’ nuk u ndalën as në periodën e dytë, ku e thelluan edhe më shumë epërsinë, kurse kuqezinjtë assesi nuk arrinin të dilnin në lojën e tyre dhe pjesa e parë përfundon 53-30.

Edhe perioda e tretë ishte e ngjashme me atë të dytë. Edhe në këtë pjesë skuadra nga Gjakova shënoi 15 pikë, aq sa kishte shënuar edhe në çerekët paraprak, ndërsa shifrat pas 30 minutash ishin 73:45.

Në dhjetë minutat e fundit nuk kishte ndonjë ndryshim të madh dhe Trepça triumfoi 81-56, për të kaluar në gjysmëfinale, ku do të përballet me fituesin e ndeshjes Peja-Rahoveci, që zhvillohet nga ora 20:00.

Te mitrovicasit pesë basketbollistë shënuan pikë dyshifrore, ku efektshmërinë më të lartë e kishte Andrew Gordon me 13 pikë dhe shtatë kërcime, kurse te kuqezinjtë u dallua Jahi Carson me 18 pikë e pesë asistime.

Exit mobile version