Telegrafi

Trepça fiton Superkupën e Kosovës në basketboll

Trepça ka nisur edicionin e ri ashtu si e përfundoi të kaluarin – me trofe. Skuadra nga Mitrovica është fituese e Superkupës së Kosovës në basketboll, duke mposhtur Prishtinën në finale.

Në ndeshjen e zhvilluar të mërkurën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Trepça triumfoi me rezultat 89:73. “Xehetarët” kanë treguar edhe një herë pse janë favoriti kryesor për edicionin e ri, duke fituar të gjitha trofetë në edicionin e kaluar: titullin e kampionit, Kupën e Kosovës, Superkupën dhe turneun e Ligës Unike.

Në çerekfinale të Superkupës, Trepça mposhti Borën, ndërsa në gjysmëfinale realizoi një fitore të lehtë dhe të thellë ndaj Golden Eagle Yllit. Fitorja në finale ndaj Prishtinës konfirmoi dominimin e tyre.

Pas një çereku të parë të barabartë, Trepça filloi të shkëputej në minutat e fundit të çerekut të dytë, duke përfunduar 26:19. Çereku i tretë vazhdoi me të njëjtin ritëm, përfunduar 22:17 për Trepçën. Edhe pse Prishtina nuk u dorëzua dhe u afrua deri në gjashtë pikë në çerekun e katërt, nuk arriti të përmbysë rezultatin. Çereku i katërt përfundoi 27:22 për Trepçën.

Desmond Cambridge Jr udhëhoqi Trepçën me 15 pikë, katër kërcime dhe pesë topa të rrëmbyer. Sammy Hunter kontribuoi me 18 pikë dhe gjashtë kërcime. Larry Thomas dallohej me 13 pikë, pesë asistime dhe katër kërcime, ndërsa Malik Johnson shtoi 11 pikë dhe gjashtë asistime.

Për Prishtinën, Damire Burns realizoi 12 pikë dhe 10 kërcime. Jaleen Moore shënoi 20 pikë, tetë kërcime dhe gjashtë asistime, por kishte edhe shtatë topa të humbur. Jawachi Nzeakor shënoi 13 pikë, megjithëse jo me efikasitet të lartë.

Turneu i Superkupës tashmë i lë vend garës në kampionat, ku pritet një garë interesante. Trepça dhe Prishtina do të jenë ndër skuadrat pretendente kryesore, me lojtarët e huaj, kryesisht amerikanë, që pritet të kenë ndikim të madh gjatë gjithë kampionatit. /Telegrafi/