Telegrafi

Trepça fiton ndaj Yllit dhe kualifikohet në finalen e Superkupës Mbarëkombëtare

(Foto: baskebtolli.com)

Në një atmosferë të jashtëzakonshme dhe me një super spektakël në “Minatori”, Trepça ka mundur Golden Eagle Yllin me shifrat 72-68 (19:15, 23:20, 15:22, 15:11), duke u kualifikuar në finalen e Superkupës Mbarëkombëtare.

Vendasit e nisën ndeshjen më mirë me një seri prej 10:4 dhe kishin epërsi konstante në çerekun e parë, që e fituan 19:15. ‘Xehetarët’ vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke e ngritur epërsinë në 11 pikë, 35:24, që ishte më e larta deri në ato momente, kurse pjesa e parë përfundoi 42-35.

Megjithatë, kampionët e Kosovës nuk kishin udhëtuar për tu dorëzuar dhe e filluan furishëm periodën e tretë, duke ngushtuar shifrat dhe barazuar rezultatin në 57:57, sa ishte rezultati në semafor pas 30 minutash.

Dhjetë minutat e fundit ishin shumë interesant, ku fituesi është vendosur në momentet e fundit. ‘Minatorët’ ishin më të vëmendshëm në fund dhe me një treshe nga Mikaele Tmusiq dhe gjuajtjen e lirë nga Drilon Hajrizi triumfuan 72-68 dhe kaluan në finale, ku do të përballen me Tiranën.

Ndeshja finale zhvillohet nesër (e enjte) nga ora 20:00 në Minatori.

Te Trepça u dallua Drilon Hajrizi me 18 pikë e tetë kërcime, kurse te Golden Eagle Ylli më i miri ishte Henrik Sirko me 19 pikë e shtatë kërcime.