Telegrafi

Trepça fiton derbin fantastik ndaj Sigal Prishtinës

Trepça  ka dalë triumfuese në një përballje tejet të ngushtë dhe plot emocione kundër Sigal Prishtinës (84-83).

Në duelin e zhvilluar në palestrën “Minatori”, skuadra vendase u tregua më e mirë në dhjetëminutëshin e parë, në të cilin shënoi gjashtë pikë më shumë se kundërshtari (17:11).

Mirëpo, në çerekun e dytë (13:24), mysafirët e përmbysën rezultatin duke e kthyer në favor të tyre dhe shkuan në pushim me rezultat 30-35.

Kryeqytetasit e ngritën akoma më shumë epërsinë ne fraksionin e tretë (18:24). Megjithatë, në çerekun e fundit, nikoqirët u kthyen për ta ngushtuar epërsinë dhe pastaj në një moment edhe për ta barazuar (në 63-63).

Mirëpo, basketbollistët e Prishtinës e rikthyen prapë epërsinë edhe pse rezultati vazhdonte të ishte i ngushtë. Ashtu që, Trepça ia doli që të kalonte edhe në epërsi (73-72).

Porse pas spektaklit të dhuruar, koha e rregullt përfundoi me rezultat të barabartë (75-75), duke bërë që fituesi të vendosej në vazhdime.

Edhe gjatë vazhdimit, rezultati ishte shumë i ngushtë. Derisa ishin gjashtë sekonda para fundit dhe Prishtina kishte tri pikë epërsi, Wise shënoi treshe për ta barazuar rezultatin.

Ai pati edhe një gjuajtje të lirë të cilën e konvertoi në pikë, ndërsa në pak sekondat e mbetura, lojtarët mysafirë nuk arritën të shënonin, ashtu që e humbën takimin.

Sigal Prishtina mbetet në krye të tabelës me 38 pikë, nga 18 fitore dhe dy humbje. Ndërsa Trepça është në vend të katërt me 32 pikë, nga 12 fitore dhe tetë humbje. /Telegrafi/