Site icon Telegrafi

Trepça dhe Ujmani në tryezën e Washingtonit? Njohësit e ekonomisë thonë se pasuritë e Kosovës nuk duhet të jenë pjesë e bisedimeve

Dy nga resurset më të rëndësishme dhe vitale për Kosovën, siç është Trepça dhe Ujmani pritet të jenë temë e negociatave nesër në takimin e 4 shtatorit në Washington ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Do të ishte fatkeqësi të diskutohet për këto dy pasuri kombëtare, ka thënë profesori universitar Mazllum Baraliu, derisa tregon se ka informacione të besueshme që do të diskutohet edhe për Trepçën dhe Ujmanin ndërmjet palës kosovare dhe serbe në Uashington dhe më 7 shtator në Bruksel.

Njohës të politikës së jashtme kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të jetë e kujdesshme duke mos toleruar në asnjë formë që të vihet në tryezë të diskutimeve Ujmani dhe Trepça.

Ndonëse, eksperti për ekonomi që mbështet delegacionin kosovar, Muhamet Mustafa ka thënë për KosovaPress se nuk ka asnjë rrezik për pasuritë nacionale të Kosovës, pasi sipas tij, të gjitha argumentet janë në anën e Kosovës.

Megjithatë, sipas Mustafës fokusi në këto negociata do të jetë për bashkëpunim ekonomik, që nuk përjashtohet mundësia eventuale e kërkesave të ndryshme nga Serbia.

“Nuk ka asnjë rrezik për pasuritë nacionale të Kosovës, për pasuritë shtetërore Serbia bën propagandë, tenton që të krijojë argumente false, por ne jemi shumë të përgatitur. Kemi të gjitha argumentet e zhvilluara, edhe me pavarësinë e Kosovës, me Ligjin për Trepçën dhe me mënyrë si është investuar Ujmani, nuk ka asnjë rrezik që Serbia të infiltrohet. Pra, të gjithë ata që frikësohen lidhur me këtë, mendoj se nuk kanë arsye të frikësohen. Nuk do të jenë tema këto. Kosova nuk do të pajtohet që të diskutojë për pasuritë nacionale. Do të shtrohen temat për rregullimin e raporteve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, kërkesat reciproke edhe bashkëpunimi ekonomik. Kosova është e hapur për bashkëpunim ekonomik pas normalizimit të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke, ne kemi interes të zhvillojmë bashkëpunimin ekonomik në rajon, prandaj edhe me Serbinë. Tema e dytë është llogaritë të jetë për kërkesat që i kemi ne ndaj Serbisë edhe Serbia eventualisht mund të ketë kërkesa ndaj neve”, thotë Mustafa.

Lexo po ashtu Hoti dhe Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë

E profesori universitar Mazllum Baraliu thotë për KosovaPress se me këtë delegacion, nuk mund të pritet që të ketë ndonjë përfaqësim të denjë, të mirëfilltë dhe serioz. Teksa shtojë se mund të pritet çdo gjë e befasishme, por edhe që mund të jetë në dëm të Kosovës.

“Fatkeqësisht disa nga burimet serioze kanë paralajmëruar që dy nga resureset më të rëndësishme, të pazëvendësueshme dhe vitale për Kosovën, siç është Ujmani dhe Trepça do të jenë objekt i bisedave. Nëse është paralajmëruar që ky takim do të ketë karakter të marrëveshjeve për marrëdhënie ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë, atëherë si çdo herë tjetër, prej 2011 e këndej kur kanë filluar bisedat teknike për të kaluar në ato politike me Serbinë, çështjet e brendshme dhe resurset ekonomike, prona dhe asgjë tjetër, pra nga Kosova që janë të mbrojtura dhe të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si resurse të Kosovës, se të tilla kanë qenë dhe kanë mbetur dhe janë, nuk do të duhej në asnjë mënyrë që të jetë objekt bisede asnjë çështje e kësaj natyre”, thotë Baraliu.

Ndërsa, hulumtuesi në “Demokracy Plus”, Emir Abrashi thotë për KosovaPress se në këtë proces, Kosova duhet të jetë e hapur për një marrëveshje, mirëpo nuk duhet doemos të nënshkruajë çfarëdo marrëveshje që i vihet përpara përfshirë këtu edhe për pasuritë nacionale.

Lexo po ashtu O’Brien: Nga diskutimet në Shtëpinë e Bardhë përfitojnë Kosova e Serbia, ta çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik

Abrashi shton se edhe pse publikisht është thënë se nuk do të vihen në tryezën e diskutimeve Trepça dhe Ujmani, pala serbe ka interes që t’i qes në diskutim këto dy çështje.

“Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme dhe nuk duhet të tolerojë në asnjë formë që të vihet në tryezë të diskutimeve këto dy çështje, Ujmani dhe Trepça, për shkak se janë pasuri të Kosovës. Trepça veçse e ka Ligjin e saj, i cili duhet të fillojë të zbatohet. Trepça mbetet aseti më i vlefshëm i Kosovës, ndërsa Ujmani është furnizuesi kryesor me ujë i komunave, Mitrovicë, Skënderaj, Obiliq, Vushtrri dhe Prishtinë. Kështu që në këtë kuadër Qeveria e Kosovës duhet të vendosë vijën e kuqe te këto dy pasuri të Kosovës. Ndërsa në anën tjetër të jetë e hapur për marrëveshje të tjera ekonomike, qoftë për hekurudha dhe linjës ajrore Prishtinë-Beograd, që akoma nuk janë funksionalizuar ani pse është thënë se janë arritur këto marrëveshje”, thekson Abrashi.

Hulumtuesi në “Demokracy Plus”, Abrashi shton nuk sheh asgjë të keqe për idenë e krijimit të një zone të lirë ekonomike në veriun e Kosovës, por thekson se kjo duhet të bëhet me marrëveshje të ndërsjellë dhe nën menaxhimin e Republikës së Kosovës.

Exit mobile version