Telegrafi

Trepça ’89 e shkatërron Gjilanin e super-përforcuar

Trepça ’89 ka mposhtur Gjilanin me rezultat të thellë 4-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e parë të Ipko Superligës së Kosovës në futboll.

Minatorët janë treguar arrë e fortë për gjilanasit e super-përforcuar këtë verë, pasi i kanë mposhtur bindshëm në Riza Lushta.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët shënuan edhe dy gola.

Ishte Ardian Muja (22′), i cili shënoi një gol të bukur me parabolë për 1-0, ndërsa i njëjti lojtar shënoi edhe në minutën e 44-të për 2-0.

Në pjesën e dytë, përsëri vendasit ishin për një nuancë më të mirë duke arritur t’i shënojnë edhe dy gola tjerë nga penalltia, ndërsa po nga pika e bardhë shënoi edhe Gjilani golin e nderit.

Fillimisht ishte Arb Manaj (60′), i cili shënoi për 3-0, ndërsa Leart Emini dërgoi ekipin e tij në epërsi të thellë 4-0.

Për Gjilanin golin e vetëm nga penalltia e shënoi Tomislav Busic (74′), i cili vulosi rezultatin përfundimtar 4-1.

Në ndeshjen e radhës, 89-shi udhëton te Vushtrria, ndërsa Gjilani te Ferizaj. /Telegrafi/