Nuk ka sjell fitues ndeshja mes Trepçës ’89 dhe Gjilanit që përfundoi në barazim 1-1.
Gjilani e nisi më mirë ndeshjen, kur në minutën e pestë kanë mundur të kalojnë në epërsi pas devijimit të topit nga Pira, por që në fund shtylla shpëtoi vendasit.
Dy minuta më vonë Ansi Nika i mysafirëve tentoi nga goditja indirekte, por mbrojtja vendase reagoi mirë.
E në minutën e 25-të erdhi edhe goli i parë në këtë sfidë i shënuar nga mysafirët.
Ansi Nika kësaj radhe asistoi bukur në zonë, ndërsa Hysa realizoi me kokë për 0-1.
Vendasit tentuan barazimin e rezultatin me Gëzim Rusin, por që goditja e tij u largua nga vija fatale nga kapiteni mysafir Ylber Kastrati.
Me epërsinë e Gjilanit 0-1 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Minatorët e nisën më mirë pjesën e dytë duke sulmuar vazhdimisht për ta gjetur golin e epërsisë.
Golin e barazimit për vendasit e realizoi Arb Manaj në minutën e 76-të pas një tollovie në zonë.
89-shi pati edhe disa raste të mira shënimi me Asaren, Basriun e Mircevskin por pa sukses.
Kësisoj dy skuadrat u desh të kënaqen me nga një pikë pasi rezultati përfundimtar ishte 1-1.
89-shi vazhdon të mbetet në pozitë të palakmueshme, pasi renditet e nënta me 16 pikë, në anën tjetër Gjilani zë vendin e gjashtë me 21 pikë.
Trepça ’89 edhe ndeshjen e radhës do ta luaj në Riza Lushta, ku do të jetë nikoqir i KEK-ut.
Në anën tjetër Gjilani në shtëpi do të përballet me Drenicën. /Telegrafi/