Telegrafi

Treni në Klinë godet një veturë, dy të lënduar

Dy persona kanë mbetur të lënduar nga një aksident trafiku që ka ndodhur sot në fshatin Jagodë të Klinës, ku një tren ka goditur një veturë.

Të lënduarit janë pranuar në Spitalin e Pejës dhe janë jashtë rrezikut për jetë.

Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin, zyrtari për informim i Policisë së Pejës, Xhevat Ibraj.

“Sot ka ndodhur një aksident në fshatin Jagodë të Klinës ku janë përfshirë një veturë dhe një tren. Sipas informatave të para në këtë aksident janë lënduar dy persona”, tha për Telegrafin, zëdhënësi Ibraj.

Ndërsa, zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Skënder Dreshaj, tha për Telegrafin se gjendja e të lënduarve është jashtë rrezikut për jetë.

“Dy persona, një çift, rreth moshës 50-vjecare janë pranuar në Spitalin e Pejës të cilët janë përfshirë në aksident. Gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe nuk janë në rrezik për jetë”, tha Dreshaj. /Telegrafi/