Interesimi apo nevoja e qytetarëve dhe bizneseve për të marrë kredi në bankat komerciale që operojnë në Kosovë, vazhdimisht po rritet. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), niveli i kredive të përgjithshme në Kosovë, tashmë ka arritur në mbi 2 miliardë euro, apo për mbi 6 për qind llogaritet rritja vjetore.
Sipas raportit të BQK-së, kreditë për ndërmarrje kanë arritur vlerën në mbi 1.3 miliard euro, kurse kreditë për ekonomi familjare mbi 660 milionë euro. Lidhur me këtë, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se rikreditimi i bizneseve për të mbyllur kreditë e vjetra ka rritur nivelin e kredive të përgjithshme.
Kurse, sa i përket ekonomive familjare, sipas tyre, mungesa e parave të gatshme në treg, ka bërë që e vetmja mundësi e financimit të ndonjë projekti për qytetarët mbetet huazimi i kredive në bankat komerciale.
Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, thekson se bizneset nuk kanë mundësi që të investojnë me fitimin e tyre, kështu që alternativa e vetme për mbijetesë mbeten kreditë. “Mendoj se përmes kësaj metode, menaxherët e bankave në Kosovë janë duke i mashtruar edhe aksionarët e tyre, sepse përmes rikreditimit të bizneseve ata po e faturojnë si afarizëm pozitiv të bankave komerciale. Në fakt këtu vetëm po thellohet hendeku i pamundësisë së kthimit të kredive nga ana e bizneseve”, ka thënë Gashi.
Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB), është duke hulumtuar se çfarë po ndodh me borxhet e mëdha të krijuara nga bizneset, qoftë në bankat apo autoritetet komunale dhe qendrore, por edhe tek furnizuesit.
Kryetari i saj Agim Shahini, ka thënë se bizneset kanë borxhe të mëdha dhe për të paguar kredinë apo edhe borxhet e krijuara po marrin kredi të reja, e që po ndikon në pamundësi të kthimit të kësteve të kredive.
“Bizneset vendore janë duke u mbyllur për shkak të vështirësive të kthimit të borxheve. Bankat kanë interes të lartë dhe tepër profitabil karshi bizneseve private që operojnë në Kosovë, të cilat kanë fitim në produktet e tyre 2-5 për qind. Kurse, bankat komerciale, normat e interesit për kredi i aplikojnë mbi 10 për qind e në raste të caktuara shkon mbi 15 për qind”, ka thënë Shahini
Kurse sa i përket kredive për ekonomitë familjare, Naim Gashi konsideron se standardi i ulët i jetesës, pagat e ulëta në sektorin publik dhe privat nuk i krijojnë mundësi qytetarëve që të zgjerojnë kapacitet e tyre investive, kështu që mundësia e vetme mbetet kreditimi.
“Është diçka normale që secili shtet me rritjen e popullatës rritet edhe vëllimi i kredive, dhe është normale. Por, problemi te ne mbetet se familjet kosovare marrin kredi për të shlyer kreditë e vjetra . Do të thotë në pamundësi të kthimit të një kredie ata futen edhe në një kredi të re, dhe në fakt mundësia e kthimit të atyre kredive do të jetë edhe më e madhe”, shprehet Gashi .
Sipas publikimit “Sistemi Financiar “ të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për marrjen e kredive eventuale ndërmarrjet duhet të paguajnë normën e interesit prej 7.4 për qind, kurse ekonomitë familjare 8.2 për qind. /Rel/Telegrafi/