Treguesi i ndjesisë ekonomike në Shqipëri u rrit për herë të parë në katër muaj.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues për dhejtorin 2023 shënoi nivelin 111.9, me rritje prej 2.2 pikësh në krahasim me muajin nëntor, ndërkohë që 11.9 pikë mbi mesataren afatgjatë. Kjo ishte rritja e parë e këtij treguesi që prej muajit gusht.
Përmirësimi u përcaktua nga rritja e besimit në sektorët e ndërtimit, shërbimeve dhe më pak nga ai i industrisë. Ndërkohë, sektori i tregtisë, si edhe besimi konsumator regjistruan vlera thuajse të njëjta me një muaj më pare.
Treguesi i besimit në ndërtim u rrit ndjeshëm me 9.1 pikë përqindjeje në muajin dhjetor, duke u ngjitur pranë vlerave më të larta historike. Ky tregues qëndron 30.3 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë.
Rritja këtë muaj u përcaktua nga vlerësimet më të larta për aktivitetin aktual ndërtues dhe për nivelin e porosive aktuale. Ndërkohë, edhe pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rritje.
Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 2.6 pikë përqindjeje në muajin dhjetor. Niveli i këtij treguesi qëndron në intervalin e vlerave më të larta historike, rreth 16 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Të dy komponentët përbërës të treguesit, ecuria aktuale e aktivitetit si dhe niveli i kërkesës, kanë regjistruar rritje. Pritjet e bizneseve për kërkesën, punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë gjithashtu me rritje.
Treguesi i besimit të industrisë u rrit lehtësisht me 0.5 pikë përqindje në muajin dhjetor, i ndikuar nga vlerësimet më optimiste për kontratat porositëse. Niveli i treguesit aktualisht qëndron 7.3 pikë përqindje mbi mesataren historike. Pritjet e bizneseve të këtij sektori për prodhimin, për punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë pothuajse të njëjta me ato të një muaji më parë.
Treguesi i besimit në tregti qëndroi pothuajse i pandryshuar krahasuar me vlerën e një muaji më parë në muajin dhjetor. Kjo vlerë u ndikua kryesisht nga vlerësime të njëjta mbi ecurinë aktuale të biznesit dhe pritjet për punësimin.
Niveli aktual qëndron rreth 7.7 pikë përqindje mbi mesataren historike. Nga ana tjetër, pritjet për ecurinë e biznesit dhe çmimet në të ardhmen u vlerësuan në rritje.
Treguesi i besimit konsumator në muajin dhjetor regjistroi vlerë të përafërt me atë të muajit paraardhës. Niveli i tij aktual ka kaluar me 1.3 pikë përqindje mesataren historike. Ecuria e muajit dhjetor u përcaktua nga pritje pothuajse të pandryshuara për situatën e përgjithshme ekonomike, situatën financiare dhe blerjet në shuma të mëdha për të ardhmen.
Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve në të ardhmen janë rishikuar për poshtë. /Telegrafi/