Real Madrid ka arritur ta fitojë një pikë tejet të vlefshme nga udhëtimi në Kataluni.
Derbi i madh botëror që njihet si ‘El Clasico’, përfundoi pa fitues 1-1 falë një goli të Sergio Ramos në minutën e fundit të ndeshjes.
Por në momentin e golit të barazimit, mbrojtësi i ‘Los Blancos’, Daniel Carvajal ka bërë një gjest të turpshëm ndaj tifozëve vendas.
Carvajal gjatë festimit të golit i ka treguar gishtin e mesëm tifozëve katalunas që u irrituan me gjestin e reprezentuesit spanjoll.
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes janë parë foto ku shihej Carvajal duke i treguar gishtin e mesëm tifozëve.
Ka qenë vetë mbrojtësi i Real Madridit që është penduar për këtë gjest të tijin dhe ka kërkuar falje në ‘Twitter’.
“Dua t’iu kërkoj falje për gjestin e bërë ndaj tifozëve që ishte si përgjigje ndaj ofendimeve. Është një gjë që nuk duhet ta kisha bërë”, shkroi Carvajal.
Mediat spanjolle kanë raportuar se Carvajal mund të dënohet nga federata e futbollit të Spanjës pas pamjeve televizive. /Telegrafi/