Site icon Telegrafi

Tregim i pandryshuar për dialogun: Marrëveshje po, zbatim jo

Sulmet e armatosura në veri në fund të 2022-ës, barrikadat dhe potenciali për përshkallëzim të mëtejmë të dhunës ishin paralajmërim se ato do të përcaktonin rrjedhën e dialogut në vitin pasues.

Dhe ashtu ndodhi.

Qysh në fillim vitit 2023, ndërkombëtarët u mobilizuan. Planin që deri atëherë njihej si franko-gjerman e titulluan propozim evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u ftuan në Bruksel më 27 shkurt për ta shqyrtuar planin e BE-së.

Të dy e pranuan, por presidenti serb refuzoi ta nënshkruaj pavarësisht insistimit të kryeministrit kosovar.

Plani, sipas Qeverisë, parasheh njohje de-facto të Kosovës nga Serbia, derisa përcakton edhe themelimin e Asociacionit, një lloj vetëmenaxhimi për komunitetin serb, si dhe formalizmin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe.

Të dy liderët u shprehën të gatshëm të vazhdojnë me implementimin e marrëveshjes pas diskutimeve për modalitetet e dispozitave të saj. Takimi i radhës u caktua më 18 mars në Ohër.

Në takimet që zgjatën gjithë ditën, Serbia sërish i iki nënshkrimit aneksit që parasheh zbatimin e marrëveshjes bazike për normalizimin, mirëpo u arrit një pajtim publik për të.

Me akuzat ndaj njëri-tjetrit, Kurti e Vuçiq mbyllën takimet e gjata në Ohër për të takuar sërish pas dy muajsh në Bruksel.

Kryetemë e këtij takimi më 2 maj ishin miratimi i deklaratës për të zhdukurit gjatë luftës dhe prezantimi i draft-statutit të Asociacionit të hartuar nga Ekipi Menaxhues, i cili u hodh poshtë nga Kurti.

Kurrfarë progresi nuk u arrit më 14 shtator kur liderët u kthyen sërish në kryeqendrën evropiane. Ata shfaqën dallime të mëdha për rrugën drejt zbatimit të marrëveshjes.

Ndërmjetësi Josep Borrell fajësoi Kurtin se insistoi në njohjen reciproke, duke mos e pranuar propozimin e tij që palët të nisin paralelisht zbatimin e kërkesave.

Ndërsa në anën tjetër, Kurti e akuzoi Borrellin dhe emisarin Miroslav Lajçak se nuk e pranuan propozimin e tij për sekuencim, derisa ata i akuzoi edhe për njëanshmëri në të mirë të Serbisë.

Duke parë ngecjet mes palëve fuqitë e mëdha u aktivizuan sërish. Ato dërguan në Prishtinë dhe Beograd pesë përfaqësuesit e tyre, të cilët sollën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes bazike, e bashkë me të edhe një draft-statut për Asociacionin.Qeveria e Kosovës e ka pranuar planin por insiston edhe në nënshkrimin e tij, gjë të cilën e kundërshton Serbia, e cila haptazi ka thënë se nuk do ta zbatojë tërë marrëveshjen.

Për këtë plan, liderët e BE-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë në fund të tetorit i takuan ndaras Kurtin e Vuçiqin në Bruksel, por as këta nuk arritën që diskutimet t’i mbyllin me marrëveshje.

Tërë dialogu gjatë kësaj periudhe, sipas njohësit të këtij procesi, Artan Muhaxhiri është përcjellë me dallime të mëdha mes aspektit retorik dhe atij praktik.

“Viti 2023 ka dëshmuar sërish sa i ngadalshëm është procesi dhe sa vështirë i arritshëm është sepse është vërtetuar se pa presione të mëdha, pa masa ndëshkuese si ndaj Kosovës ashtu edhe Serbisë, nuk ka vullnet, dëshirë dhe plan që të shkohet përpara me hapa kualitativë në arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Muhaxhiri.

Derisa flet për dialogun, Belgzim Kamberi përdor metaforën e kafshëve për të shpjeguar mënyrën se si ka shkuar ky proces.

“Përpjekja e vazhdueshme ka qenë që të jepet një përshtypje që palët janë të interesuara për të dialogut por në anën tjetër që të ecet sa më ngadalë në zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur. Kjo është ajo simbolika që mund të lidhet me breshkën. Ndërkaq me iriqin mund të them se ka pasur përpjekje që të afrohen palët por kur afrohen përpiqen të largohen njëra me tjetrën”, ka thënë Kamberi.

Pritjet për përshpejtim të dialogut nuk janë të mëdha gjatë 2024-ës, pasi ShBA-ja dhe BE-ja do t’u nënshtrohen proceseve zgjedhore./RTV Dukagjini/

Exit mobile version