Policia e Shtetit ka bërë të ditur se autoritetet malazeze kanë kryer të gjitha veprimet e para procedurale dhe tre shtetasit shqiptarë që u dhunuan në Mal të Zi kanë dhënë deklarime në prani të një avokati (njohës i gjuhës shqipe) dhe të përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Malin e Zi.
Nga ana e saj policia bën të ditur se në përfundim të veprimeve të para, tre shtetasit shqiptarë, me dëshirën e tyre, janë nisur për në Shqipëri.
Ndërkaq, nga kontakti telefonik që RTSH ka pasur me mjekun e urgjencës Astrit Lahi bën me dije se nuk kanë pasur dëmtime serioze, por trauma si shkak i goditjeve në pjesë të trupit.
Sipas mjekut të urgjencës, njëri prej tyre kishte goditje në sy pas ekzaminimit nga okulisti nuk paraqet dëmtime serioze rreth orës 9 kanë lënë spitalin.
“Drejtuesit e Policisë së Shtetit iu kanë kërkuar homologëve të Malit të Zi, që për çështje sigurie, të tre shtetasit shqiptarë t’i shoqërojnë me punonjës policie, deri në kufi. Tre shtetasit shqiptarë kanë mbërritur në PKK Muriqan, rreth ores 05:30 dhe janë pritur nga drejtuesit e pikës së kalimit kufitar Muriqan dhe të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, të cilët i kanë shoqëruar deri në Spitalin Rajonal Shkodër ku shtetasit shqiptarë kanë kryer të gjitha kontrollet mjekësore, nga të cilat kanë rezultuar pa probleme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia shpjegon se në lidhje me veprimet procedurale dhe identifikimin e autorëve, sipas informacionit të dërguar nga kolegët në Malit e Zi, rezulton se “policia ka ndërmarrë veprime me qëllim zbardhjen e të gjitha rrethanave në të cilat kanë mbetur të plagosur shtetasit shqiptarë”.
“Janë kontrolluar videot e kamerave të vëzhgimit nga ndërtesat pranë ngjarjes. Përmes punës operative në terren, efektivët e policisë kanë identifikuar tre persona nga Herceg Novi, si autorë të sulmit fizik, identiteti i të cilëve më pas është përcaktuar dhe do merren masa për kapjen dhe arrestimin e tyre. Ngjarja është dërguar për kompetencë te Prokurori i cili do të deklarojë kualifikimin ligjor të rastit. Vijojnë intensivisht hetimet për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e policisë.